Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizidic, ka thënë se i vjen shumë keq që Hashim Thaçi në momentin e fundit ka marrë vendim për të anuluar pjesëmarrjen në Samitin e Berzhit që po mbahet në Sarajevë, e ku po marrin pjesë të gjithë liderët e Ballkanit.
“Zyra ime dje shumë vonë ishte njoftuar se kishte një problem. Më vjen vërtetë keq për këtë . Nëse do të ishte bërë e ditur më parë një çështje e tillë sigurisht që do të ishte zgjidhur. Ne si Këshill i Ministrave kemi lëshuar viza për të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti. Unë i di të gjitha arsyet se pse nuk ka ardhur Thaçi. Do të ishte mirë që të kishim edhe një përfaqësues nga Kosova”, ka thënë Zvizidic, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se të raportet dhe problemet e pazgjidhura në mes të Bosnjës dhe Kosovës nuk janë asgjë e re, që Thaçi të zgjidhte të mos udhëtonte drejt Sarajevës për shkak të tyre.
“Taksa vazhdon të jetë ne fuqi, dhe ne jemi duke kërkuar anulimin e saj. Ne presim nga takimi në Paris në fillim të korrikut që të hiqet taksa, e që do të na jepte neve për liberalizim të vizave në mes të Bosnjës dhe Kosovës”, është shprehur Zvizidic.
Në këtë takim nuk ka shkuar as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërkohë Zvizidic kur është pyetur për mungesën e tij, është përgjigjur që kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, është aty.
Zvizidic ndër të tjera ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të realkasojnë raportet në nivel të bashkëpunimit dhe besimit.
“Ne jetojmë së bashku, për njëri tjetrit. Të gjithë ata që po ndotin ujërat e pastër në Ballkan, duhet të ndalen. Ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal”, ka thënë Zvizidic.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka treguar se ka anuluar vizitën në Bosnje e Hercegovinë, pasi sipas tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Ka pëmrendur ndërkohë edhe regjimin e vizave që Bosnja nuk e heq për Kosovën.
Megjithatë kjo nuk po shihet edhe arsyeja e vërtetë e anulimit të vizitës, siç e ka thënë edhe vetë Zvizidic.
Nga Zyra e Thaçit sot është lëshuar një njoftim që ai ka udhëtuar drejt Tiranës për një takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin, me të cilën do të diskutojnë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky takim do të mbahet në kuadër të Samitit të Brdo-Brijonit, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili nesër do të mbërrijë në Tiranë dhe do të takohet gjithashtu me Mogherinin.