Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë hyrë në ndërtesën e komunës së Zveçanit dhe me atë rast kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok bomba, raportojnë mediat atje, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë këtij aksioni janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, por nuk raportohet për të lënduar.
Thuhet se është djegur edhe një veturë e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës njoftoi se është “duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.
Në një komunikatë dërguar mediave, Policia ka thënë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, ka njoftuar Policia.
Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.