Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka përjashtuar mundësinë e dhënies të ndonjë pjese të territorit të shtetit të tij, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një intervistë për BBC në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Zelensky paralajmëroi se dhënia e territorit do të nënkuptonte se Rusia “do të vazhdonte të kthehej”.
“Sulmet ruse po ndodhin në disa drejtime. Natyrisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha ai.
Zelensky u takua me liderët e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE javën e kaluar në një përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare dhe për të kërkuar armë moderne për të mbrojtur vendin e tij.
Forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke hyrë në territorin e këtij shteti përmes Bjellorusisë.