Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se çdo garanci të sigurisë për shtetin e tij në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë do të ishin kuptimplotë vetëm nëse ato do të jepeshin nga Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se shpreson se do të takohet shpejt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.
“Pa SHBA-në, garancitë e sigurisë nuk janë të mundura”, tha ai në një intervistë triorëshe me Lex Fridman, që u publikua më 5 janar.
“Po flas për garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus”, shtoi ai.
Gjatë kësaj interviste, që u zhvillua në Kiev, Zelensky foli në gjuhën angleze, ukrainase e madje edhe ruse. Ai tha se beson se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin do të përdorej nga Kremlini si një mundësi për t’u furnizuar dhe riorganizuar për ofensiva të reja.
Teksa përvjetori i tretë i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës po afrohet, vdekjet dhe shkatërrimi po vazhdojnë në shumë qytete ukrainase, veçmas në lindje dhe në territorin e pushtuar nga forcat e Kremlinit, por edhe në Kursk, rajonin kufitar rus.
Kohë të pasigurta po e presin Kievin, teksa Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Trump, i cili ka qenë kritik për sasinë e ndihmës së ofruar amerikane për Ukrainën, vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, edhe pse për këtë ai ka dhënë pak detaje. Shumë mbështetës të Ukrainës janë të shqetësuar se ai do të shtyjë përpara kushte që do të jenë të papranueshme për Kievin.
Përpjekjet për një armëpushim janë të pashmangshme, në dritë të premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një periudhë të shkurtër kohore.
Administrata në largim e presidentit Joe Biden, në katër vjetët e fundit i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej afër 60 miliardë dollarësh.
Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.
Për çdo marrëveshje, Zelensky tha se partnerët perëndimorë, të paktën duhet të garantojnë sigurinë në territorin ukrainas që aktualisht nuk është i pushtuar nga Rusia, të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.
“Nëse nuk ka garanci të sigurisë, Putin sërish do të sulmojë”, tha ai.
Sipas tij, qëllimet e Putinit janë një “NATO e dobët” dhe një “Ukrainë që nuk mund të mbijetojë në fushëbetejë” dhe “të pamundësohet një raport i fortë me Trumpin”./VOA/