Subjekti të cilën Mimoza Kusari-Lila e sheh si “parti të ndryshimit”, pritet ta ketë pjesë së listës së saj zgjedhore edhe kryetaren e Alternativës – të dyshuaren për faljen e katër hidrocentraleve të shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje është gati të arrijë marrëveshje për koalicion me Alternativën, partinë e Mimoza Kusari-Lilës, ish-ministres së Tregtisë në qeverinë “Thaçi 2”, e cila është duke u hetuar për dëmtimin milionësh të shtetit në rastin e privatizimit të dyshimtë të katër hidrocentraleve.
Kusari-Lila, e cila prej tre vitesh udhëheq partinë Alternativa, ka konfirmuar sot se është duke e draftuar marrëveshjen për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe, sipas saj, formalizimi “pritet të ndodhë shumë shpejt”.
Sipas Kusari-Lilës, Vetëvendosje është pretendentja kryesore për të qensë fituese në zgjedhje dhe subjekti që do të mund ta bënte ndryshimin në politikën e Kosovës.
Por, subjekti të cilën Mimoza Kusari-Lila e sheh si “parti të ndryshimit”, pritet ta ketë pjesë së listës së saj zgjedhore edhe kryetaren e Alternativës, e cila dyshohet për faljen e katër hidrocentraleve të shtetit.
Në vitin 2013, Mimoza Kusari-Lila kishte qenë pjesë e Komitetit të Privatizimit, i cili udhëhoqi procesin e privatizimit të Kompanisë për Distribuimin dhe Furnizimin me Energji elektrike (KEDS).
Ky komitet kishte vendosur që në bashkëpunim me KEDS të privatizoheshin katër hidrocentrale në Kosovë.
Shitja e katër hidrocentraleve për Koorporatën Energjetike të Distribuimit të Energjisë (KEDS) në vitin 2013, dyshohet se i ka shkaktuar dëme Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale e Kosovës, para rreth dy viteve, nxori një aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Mimoza Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës.
Prokuroria pritet t’i intervistojë katër ish-Ministra për privatizimin e KEDS
Përfshirja e katër hidrocentraleve në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.
Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in janë: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
Lajmin për hetimin e pesë ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës, lidhur me procesin e privatizimit të KEDS-it, e ka konfirmuar gjatë vitit 2018 edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Disa muaj më parë, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu kishte konfirmuar për Insajderin se Kusari-Lila vazhdon të jetë nën hetime për këtë rast. Kishte thënë se nuk mund të jepnin informacione, në mënyrë që të mos i pengonin hetimet.
“Prokuroria e Shtetit nuk jep informata, në pyetjet kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm së a zhvillohen apo jo hetimet ndaj një personi, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin hetimet”, ka thënë Lutfiu nga Prokuroria e Shtetit.
Kusari-Lila ishte hetuar edhe më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimi kishte të bënte me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori pesë vjet më parë nga dy trupa private inspektuese të kontrollit të cilësisë së naftës, të cilat nuk ishin angazhuar nga Kusari Lila sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, por ishte angazhuar një kompani kroate e quajtur “Saybolt Pan Adriatika”.
Kallëzimi penal i përbashkët ishte bërë nga “Kosova-Lab” që drejtohej nga Bekim Shyti dhe “SIERRA-Lab” e përfaqësuar nga Ejup Gashi.
Bazuar në këtë kallëzim, Prokuroria kishte kryer hetime dhe nuk ishin gjetur elemente të veprës penale. Pavarësisht mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka hapur hetime tjera kundër Kusari Lilës dhe disa zyrtarëve tjerë të MTPT-së. Nuk dihet nëse këto hetime janë ndalur. /Insajderi.com