Konkursi për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës i mbajtur me 22 nëntor 2022, shkoi në rivlerësim pas vendimit të Komisionit për Ankesa. Sot u vendos se kush do të udhëheqë me këtë pozitë.
Raportohet se gazetari nga Shqipëria, Adi Krasta, ka fituar garën për këtë pozitë pas rivlerësimit.
Kandidatja tjetër për këtë pozitë, Ilire Zajmi, në një prononcim ka konfirmuar se ka fituar mbi 80 pikë.
“Kam dal e para në intervistën e mbajtur me 19 dhjetor dhe jam vlerësuar me më se shumti pikë 82. 60”, tha shkurt ajo për Insajderin.
Kandidatë të tjerë në garën për zëdhënës drejtor gjeneral ishin edhe Rilind Gërvalla dhe Naser Thaqi.
Insajderi ka provuar të kontaktojë me menaxherin e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi merr vesh që komisioni i ankesave e ka kthyer çështjen në rivlerësim pasi njëri nga kandidatët është ankuar.
Kujtojmë se, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, kishte deklaruar se ka informacione se gazetari nga Shqipëria, Adi Krasta, mund të jetë drejtor i ardhshëm i televizionit publik në Kosovë.
Por, sipas tij ligji e thotë që për të qenë pjesë e menaxhmentit duhet Krasta të ketë nënshtetësi të Kosovës.
“Ligji i RTK-së e ka kusht që për të qenë menaxhment i televizionit duhet të ketë nënshtetësi të Kosovës. E kjo që e publikoi Krasta, pikërisht në kohën e konkursit mbetet për me u pa. Nuk e di saktësisht”, kishte thënë Hoxha në një intervistë në Periskop.
Ndryshe ditë më parë, gazetari Krasta, përmes një postimi në Facebook, kishte konfirmuar se ka marrë nënshtetësinë kosovare.