Qeveria Kurti ka nisur një procedurë të re shpronësimi për dy pronat soqërore të kontestuara në Arbitrazhin Ndërkombëtar nga ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani, i cili kishte i kishte uzurpuar ato pasluftës.
Derisa një kontest mbi pronat shoqërore të ndërmarrjeve “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, bazuar në padinë e Bedri Selmanit kundër shtetit, Qeveria e Kosovës ka nxjerr sot vendim mbi dy pronat.
Ekzekutivi ka anuluar dy vendime të nxjerra nga Qeveria Mustafa më 2015, përkatësisht 2016, për shpronësimin “për interes publik” të tokave shoqërore të “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb”.
Anulimi i vendimeve paraprake, i ka pasuar inicimit të një procedure të re të shpronësimit.
“Inicojmë procedurën e re të shpronësimit që do të përdoret për nevoja të Doganës së Kosovës, ATK-së etj”, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Dy pronat, të cilat i kishte uzurpuar pasluftës Bedri Selmani, i njohur si “uzurpatori më i madh në Kosovës, sipas vendimeve paraprake të qeverisë ishin dedikuar për ndërtimin e objekteve për nevoja të Qeverisë së Kosovës.
Vendimin e ka miratuar të martën Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 67-të të saj, të mbajtur të martën.
“Miratohet propozim-Vendimit për anulimin e Vendimit Përfundimtar Nr.08/47 të datës 02.09.2015 dhe Vendimit Nr.02/73 të datës 05.02.2016, pika 2 për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të Ndërmarrjeve Shoqërore ‘Auto Moto Kosova’ dhe ‘INA Zagreb’ të cilat preken nga ndërtimi i objekteve/ndërtesave për nevoja të Qeverisë së Kosovës, Zona Kadastrale, Komuna Prishtinë (MMPHI)”, thuhet në vendimin e Qeverisë Kurti.
Vendimi i nxjerrë nga ish-qeveria Mustafa, i anuluar sot, parashihte shpronësimin e pronave të cilat i konteston në Arbitrazhin Ndërkombëtar ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani.
“Pronat e paluajtshme të ndërmarrjeve shoqërore ‘Auto Moto Kosova’ dhe ‘INA Zagreb’ shpronësohen për nevoja të ndërtimit të objekteve ndërtimore për nevoja të Qeverisë së Kosovës, dhe pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6, Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C1”, thuhej në vendimin e Qeverisë Mustafa, të nxjerrë më 2 shtator, 2015.
Pronat shoqërore të Ndërmarrjeve Publike “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” ishin uzurpuar pasluftës nga Bedri Selmani.
Deri më 2013, Selmani e kishte sfiduar shtetin në të gjitha mënyrat. Ai kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e kishte kthyer në hotel. Bëhet fjalë fiks për dy pronat e shqyrtuara sot në mbledhjen e qeverisë.
Deri në maj të vitit 2013, Selmani nuk ishte bindur ta lëshonte pronën pavarësisht vendimeve të Gjykatës.
Më 2013, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i kishte dhënë përgjigje negative pretendimeve të këtij ish-deputeti të PDK-së.
Ai kishte kërkuar edhe të drejtën e parablerjes së tokës shoqërore ku janë ndërtuar objektet e “Autoservisit” dhe hotelit e restorantit “Victory” me rastin e privatizimit. Edhe këtë kërkesë e kishin hedhur poshtë gjykatat vendore.
Pasi i ishin shterur rrugët ligjore, Bedri Selmani e ka paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019. Rasti ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Ish-deputeti i PDK-së, kërkon 65 milionë euro kompensim nga shteti i Kosovës.
Përveç padisë në Arbitrazh, Bedri Selmani ka ushtruar edhe një padi civile kundrejt Qeverisë së Kosovës në gjykatat vendore.
Sipas padisë e cila u publikua nga mediat para rreth një muaji, Selmani ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti për shpronësimin, siç pretendon ai, të kundërligjshëm të një sipërfaqeje tokësore ku ndodhet Hoteli “Victory” në Prishtinë.
Bazuar në vendimet e autoriteteve vendore, Selmani e kishte mbajtur të uzurpuar parcelën e tokës tek Hoteli “Victory” për 13 vjet.
“DETYROHET i padituri, Qeveria e Republikës së Kosovës që paditësit, Ndërmarrja ‘Kosova Petrol’, me pronar Bedri Selmanin, në emër të kompensimit të dëmit për punët përgatitore në ndërtimin e rrethrrotullimit t’i paguaj shumën prej 186.585 euro, në emër të kompensimit të dëmit për shpronësimin e kundërligjshëm të objektit afarist të ndërmarrjes dhe mjeteve të punës t’i paguaj shumën prej 171.463 euro, në emër të kompensimit të dëmit në emër të afarizmit t’i paguaj shumën prej 5.309.397 euro, apo shumën e tërësishme prej 5.667.445 euro”, thuhet në padi.
“Dhe të gjitha me kamatë ligjore prej 3.5%, nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë aq sa do të jenë në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, dhe krejt këto brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim përmbarimi të dhunshëm”, vijon padia e ushtruar nga Selmani ndaj shtetit.