Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj reagoi sërish për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ai tha se ekziston një dyshim i bazuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar së bashku për shkëmbimin e territoreve.
“Ekziston një dyshim i bazuar se presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve së bashku, nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë të BE, Frederika Mogerinit. Ekziston ky dyshim, pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj”, tha Haradinaj.
Meqenëse kjo ide është tashmë e vdekur, kryeministrit Haradinaj tha se “një gjë e tillë vetëm ka humbur kohën e tre liderëve të lartpërmendur”, shkruan Zëri.
Shefi i Qeverisë së Prishtinës theksoi më tej se ideja e korrigjimit të kufijve çon në luftë, dhe sipas tij, mbështetësit ishin në dijeni të këtij fakti. “Ju siguroj që kushdo që thotë se përmes lëvizjes së kufijve ose rikorrigjimit të kufijve arrihet paqja, e din që arrihet lufta dhe tragjeditë”, shtoi Haradinaj.
Për kufijtë në këtë tryezë foli edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se ndryshimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhje e problemeve.