Si pasojë e tërmetit që goditi pjesë të Afganistanit, Pakistanit dhe Indisë, deri më tani vetëm në Pakistan kanë humbur jetën të paktën katër persona, transmeton AA.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.5 ballë ishte në rajonin Jurm të Afganistanit.
Qendra Kombëtare e Monitorimit Sizmit në Pakistan fillimisht tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.7, ndërsa më pas Departamenti Meteorologjik i Pakistanit (PMD) e korrigjoi në 6.8.
PMD-ja tha se tërmeti ishte me qendër në Afganistan, Taxhikistan dhe në zonat kufitare të Pakistanit.
Sipas raporteve në mediat lokale, lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin Islamabad të Pakistanit, si dhe në qytetet Rawalpindi, Lahore, Quetta, Sargodha, Mianwali, Peshawar, Kohat, Swat, Chitral, Dir, Shangla dhe në rrethe të tjera të provincave Punjab dhe Khyber Pakhtunkhwa.
Tërmeti po ashtu është ndjerë edhe në pjesë të Kashmirit të administruar nga Pakistani.
Siç raportojnë mediat lokale, të paktën katër persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën, kryesisht në Khyber Pakhtunkhwa pasi lëkundjet rrafshuan shumë shtëpi dhe shkaktuan rrëshqitje dheu në disa zona malore.
Bilal Fauzia, një zëdhënës i shërbimit pakistanez të shpëtimit, tha se mbi 80 persona u shtruan në spital, kryesisht për shkak të shembjeve të çative dhe mureve. Shumica e të plagosurve ishin me lëndime të lehta.
Në kryeqytetin Islamabad, si dhe në qytetet Rawalpindi dhe Peshawar, sipas autoriteteve kombëtare dhe provinciale të menaxhimit të fatkeqësive, disa ndërtesa të larta krijuan çarje për shkak të tërmetit, duke detyruar administratën të urdhërojë një evakuim të detyrueshëm.
Mediat lokale raportuan se lëkundjet gjithashtu rrëzuan shtyllat e shërbimeve publike, duke ndërprerë energjinë elektrike në disa zona.
Rrëshqitjet e dheut bllokuan rrugën historike të mëndafshit që lidh Pakistanin me Kinën fqinje në disa pika.
India dhe Afganistani
Tërmeti gjithashtu tronditi pjesë të Kashmirit të administruar nga India dhe u ndje në pjesët veriore të Indisë, përfshirë kryeqytetin New Delhi.
“Shtrati im filloi të dridhej papritmas derisa kuptova se ishte një tërmet i fuqishëm. Të gjithë anëtarët e familjes sonë nxituan jashtë. Ishte e frikshme”, tha Deepak Sharma, një banor i New Delhit.
Shumë video të shpërndara në mediat sociale tregojnë njerëz që nxitonin të dalin në rrugë dhe në hapësira të hapura pas tërmetit.
Deri më tani nuk ka pasur raporte për viktima apo dëme në Indi dhe Afganistan.