Rastet e korrupsionit, përpjekja e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë janë disa nga temat e nënvizuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2017, për Kosovën. Po ashtu, raporti vë në pah problematikën e buxhetit të shtetit; veçanërisht pensionet e veteranëve të luftës.
Komisioni Evropian ka publikuar sot raportet e progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.
Në një artikull të publikuar nga portali European Western Balkans, janë paraqitur të gjeturat kryesore nga Raporti i Progresit për Kosovën.
Kriteret politike
Kosova ka mbajtur zgjedhje të parakohshme në qershorin e vitit 2017. Një parlament dhe qeveri e re filloi punën në shtator.
Deri më tani, megjithatë, koalicioni i ri qeverisës ka pasur sukses të limituar në avancimin e reformave që lidhen me BE-në dhe ndërtimin e një konsensusi mbi çështjet kyçe strategjike për Kosovën. Fragmentimi dhe polarizimi i vazhdueshëm politik ka ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe ka ndikuar në efektivitetin e qeverisë. Disa veprime të papranueshme nga një numër i deputetëve gjatë periudhës raportuese, të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës, kanë ndërprerë procedurat parlamentare. Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018 ishte një përparim i rëndësishëm.
Zgjedhjet parlamentare dhe komunale, të mbajtura në vitin 2017, ishin përgjithësisht konkurruese dhe të mirë-administruara në shumicën e vendeve në Kosovë. Megjithatë, format e frikësimit në shumë komunitete të serbëve të Kosovës, duke synuar në veçanti kandidatët që nuk i përkisnin Partisë së Listës Serbe, kanë ngritur shqetësime. Ndërkaq, hetimi për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, vazhdon ende.
Përpjekjet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në dhjetorin e vitit 2017 për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale kanë ngritur shqetësime serioze. Do të jetë thelbësore që Kosova të përmbushë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe të tregojë përkushtim të plotë ndaj këtyre institucioneve.
Ka një nivel të rritjes së efikasitetit në fushën e reformave në administratë publike. Disa përparime janë bërë sidomos me kontrollimin e agjencive dhe institucioneve të pavarura. Politizimi i vazhdueshëm i administratës publike mbetet shqetësim dhe ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.
Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme dhe disa përparime janë arritur në zbatimin e ligjeve të vitit 2015. Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës dhe i stafit të tyre mbështetës në sistemin gjyqësor të Kosovës ishte një arritje e madhe e vitit 2017.
Gjyqësori është ende i prekur nga ndikimet e panevojshme politike dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas.
Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese. Nevojiten përpjekje të përbashkëta për të trajtuar këtë problem në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike.
Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Janë bërë disa përparime në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar. Derisa ka pasur konfiskime paraprake të pasurive, ende nuk ka dënime përfundimtare, hetime financiare dhe konfiskime përfundimtare të pasurive.
Kriteret ekonomike
Kosova ka bërë progres të mirë dhe është në fazë të hershme të zhvillimit të një tregu ekonomik funksional. Ambienti biznesor ka përparuar dhe qeveria i është përmbajtur rregullave fiskale mbi deficitin buxhetor; megjithatë, përfitimet e veteranëve të luftës vazhdojnë të përbëjnë një sfidë për financat publike. Ekonomia informale mbetet e përhapur.
Rritja e shkallës së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore nuk është përputhur nga fitimet në punësim, kështu që norma e papunësisë është rritur edhe më shumë. Kjo ka prekur veçanërisht gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar.
Legjislacioni i BE-së
Kosova ka bërë pak progres dhe është në fazë të hershme në aspektin e kapacitetit për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por mbeten ende boshllëqe të mëdha të infrastrukturës në sektorët e hekurudhave dhe energjisë.
Kosova ka vazhduar përpjekjet që të mbajë marrëdhënie të mira dhe konstruktive bilaterale me shtetet e tjera.
Kosova është e përfaqësuar në shumicën e organizatave rajonale që hyjnë në kuadër të Marrëveshjeve mbi Përfaqësimin Rajonal dhe Bashkëpunimin, për të cilat ka rënë rënë dakord me Beogradin në vitin 2012.
Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme dhe të kontribuojë në krijimin e rrethanave që ndihmojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë.
Sa i përket përshtatjes me standardet evropiane, Kosova është në një fazë të hershme. Shtrirja legjislative ka vazhduar në disa fusha, por zbatimi mbetet në nivel të dobët. Janë bërë disa përparime në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, prokurimit publik dhe konkurrencës, si dhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Në fushën e taksave dhe doganave, është bërë përparim edhe në mbledhjen e të ardhurave dhe thjeshtimin e procedurave administrative, por Kosova duhet të shtojë luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Sektori i energjisë vazhdon të përballet me sfida serioze.
Asnjë përparim nuk është arritur për të adresuar çështjet mjedisore.