Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se minimumi 87 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin.
Tahiri ka thënë se ata që janë larguar nga vendi janë kryesisht moshë e re.
“Vende të reja pune, jo se jo, por ajo çfarë mund të kuptojmë nga kjo deklaratë e kryeministrit është që për katër vite, 87 mijë është minimumi i atyre që kanë braktisur Kosovën, kuptohet numri më i madh i tyre i moshës së re, fuqi e shkathtë punëmarrëse.”
Reagimi i Tahirit vjen pasi kryeministri Kurti ka thënë sot se në një periudhë katërvjeçare, 2019-2023, në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë. Ai gjithashtu ka folur për rritjen ekonomike dhe të buxhetit gjatë qeverisjes së tij.