Policia e Kosovës ka muaj që është “stacionuar” në Gjilan te shtëpia e prindërve të Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut.
Familjet e zonjave të para të shtetit, bashkëshorteve të presidentëve, në të kaluarën asnjëherë nuk ishin ruajtur nga Policia e Kosovës. Nuk ishte ruajtur as familja e bashkëshortit të presidentes Atifete Jahjaga vite më parë. Por, kështu nuk po ndodh me familjen e bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Sikur asnjëherë më parë, tani policët kosovarë ofrojnë siguri 24 orë për prindërit e Prindon Sadriut.Para shtëpisë së prindërve të Zotëriut të Parë, që gjendet në lagjen “Dardania” në Gjilan, është e vendosur një kabinë ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës bëjnë roje 24 orë çdo ditë. Ndërsa, në afërsi të shtëpisë së tyre janë vendosur edhe disa pengesa në rrugë.
Një masë e ngjashme e sigurisë, siç ka mësuar gazeta, nuk ofrohet as për vetë prindërit e presidentes Vjosa Osmani, as në Prishtinë dhe as në Mitrovicë.
Kjo masë e sigurisë për çiftin presidencial nga ana e Policisë së Kosovës ofrohet vetëm tek banesa e presidentes Osmani në rrugën “Mehmet Gradica” në Breg të Diellit në Prishtinë dhe te shtëpia e prindërve të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, në Gjilan.
Demokracia.com sjell pamje të kabinës së policisë të vendosur te shtëpia e prindërve të bashkëshortit të Osmanit:
Sadriu muaj më parë kishte kërkuar edhe vendosjen e xhamave të zinj në veturën e prindërve të tij, por më pas ishte raportuar jozyrtarisht se kjo kërkesë i ishte refuzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Megjithatë, duket se kërkesa për vendosjen e policëve me ndërrime te shtëpia e prindërve të tij, trajtim që nuk e kishin në të kaluarën asnjë familje e zonjave të para, nuk i ishte refuzuar dot.
Gazeta kishte raportuar se Zotëriu i Parë i kishte kërkuar Sveçlës që veturës private të babait të tij, Skender Sadriut, të cilës si duket ia kishin vendosur kundërligjshëm folien me ngjyrë të errët në xhamat e përparmë dhe të pasmë, ndryshimi t’i evidentohej edhe në Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit. Sadriu këtë e kishte arsyetuar, duke thënë se automjeti i vjehrrit të presidentes Osmani përdorej në raste të rralla edhe nga vetë e para e shtetit.
Gazeta kishte siguruar edhe Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit, ku shihej se bëhej fjalë për një Mercedes C 200 CDI, tip karavan, me vit të prodhimit 2008, në emër të vjehrrit të presidentes Osmani, Skender Sadriut.