“Politico” është mediumi i radhës që i ka kushtuar një artikull situatës në veri, ku mes tjerash, përmendet se ndërkombëtarët “po e humbasin durimin – shpejt”. Çka shkruhet tjetër në artikull?
Veriu i Kosovës ka qenë ditëve të fundit në faqet e mediumeve më të njohura ndërkombëtare, derisa së fundi, një raportim e ka bërë edhe “Politico”,
“25 vjet pas luftës në Ballkan e cila përfundoi e bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, konflikti etnik ka shpërthyer sërish në Kosovë.” – kështu nis shkrimi transmeton Nacionale.
Si ndodhi gjithçka?
Tensionet në veri nisën pas zgjedhjeve të mabjtura në prill në katër komunat veriore në veri të Kosovës, thuhet në këtë shkrim.
“Vendimi i Kosovës për t’i vendosur kryetart, me ndihmë të policisë, ka shkaktuar dhunë, duke përfshirë edhe skena të shëmtuara që muajin e kaluar u panë serbë duke sulmuar trupat e NATO-s” – bëhet e ditur mes tjerash.
Deri tutje, përmendet se pas krejt kësaj, tre zyrtarë policorë kosovarë u kidnapuan nga Serbia.
“Faktori ndërkombëtar po e humb durimin – shpejt” – shkruan tutje.
“Politico” citon një deklaratë të emisarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili ka deklaruar se “ShBA-ja dhe BE-ja ua kanë bërë me dije të dyja palëve se çfarë pritshmëritë i kanë”.
Senatorja Jeanne Shaheen, e cila siç raportohet këto ditë pati edhe një bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i ka thënë mediumit se “është detyrë e Serbisë dhe Kosovës që të marrin përgjegjësi dhe të bëjnë hapa konkret drejt deeskalimit, ose të rrezikojnë të kompromentojnë marrëdhëniet bilaterale të rëndësishme me ShBA-të”.
Ndërkohë, Milan Nic, një ekspert i Ballkanit në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme ka deklaruar se ministrat e jashtëm në Evropë janë të frustuar me kryeministrin Kurti.
“S’ka dyshime që ministrat e Jashtme përgjatë Evropës – duke përfshirë Gjermaninë – janë të frustruar me Kurtin. Është një përceptim që ai s’e njeh fragjilitetin e situatës dhe po vendos më shumë benzinë në flakë.” – u shpreh ai.
Zhvillimet e fundit
Situata në veri edhe sot ka qenë e tensionuar. Nëntë policë janë sulmuar nga persona të maskuar në veri, derisa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Disa prej gazetarëve, kërkuan ndihmë mjekësore, derisa rasti u dënua edhe nga krerët më të lartë të shtetit.
‘Për fund, vlen të theksohet se përderisa ShBA-ja e Britania e Madhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve, KFOR-i në anën tjetër, ka thënë se mbesin ende të paqarta rrethanat e këtij rasti.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.” – thuhej në komunikatën e KFOR-it për media.
Në komunikatën e KFOR-it, gjithashtu theksohet se të dyja palët duhet të respektojnë përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, përfshirë policinë kufitare.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it. – thuhej aty