Prej fillimit të këtij viti, kushdo që i plotëson kriteret, mund të bëhet pjesë e Forcës Rezerviste në Shqipëri.
Ligji që është votuar më 19 dhjetor të 2024-tës, ka hyrë tashmë në fuqi dhe parashikon që Forca Rezerviste të përbëjë 20% të forcës aktive në ushtri, ose të arrijë një personel prej rreth 2.100 vetash në 5-6 vjetët e ardhshëm.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në Kuvend gjatë miratimit të ligjit se rezervistët që do të thirren për të dhënë kontributin e tyre, do të jenë krah Forcave të Armatosura në misione ushtarake, humanitare, apo civile, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Ky shërbim do të ofrojë një fleksibilitet operacional, duke mundësuar mobilizim të shpejtë gjatë krizave ose emergjencave”, tha Vengu.
Qëllimi i Ligjit për Forcën Rezerviste
Sipas ligjit, mosha maksimale për t’u bërë pjesë e Forcës Rezerviste është 50 vjeç për ushtarët/detarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët.
Kohëzgjatja e shërbimit si rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit, por edhe më gjatë, në rast se kërkohen stërvitje më specifike, pjesëmarrje në operacione apo misione ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE, në operacione apo misione humanitare apo në operacione në mbështetje të mbrojtjes civile.
“Për të përballuar gamën e sfidave dhe vështirësive që, kohëve të fundit, janë gjithnjë e në rritje, forcat e shërbimit ushtarak në rezervë duhet të konsiderohen si një pjesë e vlefshme dhe e çmuar e Forcave tona të Armatosura. Do të luajnë një rol të rëndësishëm, praktik e konkret në përballimin e sfidave të çdo natyre e lloji”, thuhet në relacionin që e shoqëron ligjin.