Një 48-vjeçare është vrarë të mërkurën në shtëpinë e saj në Llaushë të Skenderajt, bashkëshorti i së cilës u arrestua si i dyshuar për vrasjen.
Kjo ishte e fundit nga rastet e vrasjeve të shumta që kanë ndodhur viteve të fundit në Kosovë, e që po shihet me shqetësim nga njohësit e sigurisë në Kosovë
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, deri në muajin gusht të vitit të kaluar u kryen gjithsej 19 vrasje, ku 12 prej tyre janë cilësuar si vrasje të rënda.
Një numër më i madh i vrasjeve ka qenë në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, ku janë kryer 27 vrasje.
Sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi numri i vrasjeve në Kosovë është i lartë krahasuar me numrin e banorëve.
“Ta krahasosh me vendet në rajon apo ato evropiane është numër i madh, sidomos mos-zgjidhja e rasteve, s ene mund të kemi vrasje edhe në vendet më të zhvilluara sa i përket sigurisë, por kemi vrasje sepse janë gjëra që nuk mund të kontrollohen nga institucionet, por çështja e arrestimit të tyre, vendosja para drejtësisë, përfundimi me i procesit me dënim, ky është problemi që po shqetëson qytetarët”, u shpreh Elezi për RTV Dukagjinin, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, sipas njohësit tjetër të sigurisë, Fadil Kajtazi është shqetësues është shtimi i numrit të vrasjeve gjatë plaçkitjeve.
“Viteve të fundit kemi shtim të rasteve të vrasjeve për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe plaçkitjen, si një formë e re që ka qenë pak, ose shumë pak e njohur në Kosovë. Kjo është alarm, shqetësim që sistemi i sigurisë në Kosovë duhet ta rishikojë veten dhe të shikojë se çka është duke çaluar në këtë”, tha Kajtazi.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen vrasje në Kosovë dënohet me jo më pk se 5 vjet.
Ndërkaq, për vrasjet që cilësohen si vrasje të rënda, dënimi është me jo më pak se 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/