Takimi i Kryeministrit Albin Kurti me pesë emisarët special të BE-së dhe ShBA-së, po shihet si një pikë kthese në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hyrjen në fazën finale ku pritet që të arrihet marrëveshja përfundimtare sipas planit franko-gjerman, raporton Ekonomia Online.
Kështu thotë njohësi i çështjeve politike Arbnor Sadiku, që sipas tij marrëveshja franko-gjerman, e cila pritet të nënshkruhet nga dy shtet, do ti ofrojë Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Sigurisht që ky takim i emisarëve me Kryeministrin Kurti dhe më vonë me Presidentin Vuçiq konsiderohet si një moment ose një pikë kthese në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe hyrjen e tij në një fazë finale ku pritët të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në bazë të idesë franko-gjermane, e cila dihet që Kosovës do ti ofrojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, fillimisht në NATO dhe Këshill të Evropës, pastaj edhe më vonë ndoshta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Ai tha se në këtë marrëveshje po ashtu do ti kërkohet Kosovës që të arrihet marrëveshja për targat dhe krijimi i Asociacionit.
E për shtetin serb, Sadiku tha se do të ketë kërkesa që ta largojë nga Kushtetua e saj Kosovën dhe t’i hap mundësi për anëtarësim ndërkombëtarë nëpër organizata të ndryshme.
“Njëjtën kohë për Kosovën do të kërkohet sa ma shpejt që deri në mars, kur kërkohet që të bëhen zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës që të ketë një marrëveshje për targat dhe të ketë krijim të Asociacionit apo draft statuti final i cili e ka dritën e gjelbër nga Kosova se mund të finalizohet. Njëjtën kohë nga Serbia pritet që mos të humbë kohë kotë me çnjohje që është duke i bërë, njëjtën kohë ti bëjë sa më shpejt sanksione Rusisë dhe të distancohet nga mbështetja e luftës në Ukrainë, po ashtu kërkohet që të jetë palë konstruktive me Kosovën që faktikisht në momenti kur Kosova i kryen detyrat e saj të njëjtën kohë duhet edhe Serbia që ta largojë nga Kushtetuat e saj Kosovën dhe t’i hap mundësi për anëtarësim ndërkombëtarë në për organizata të ndryshme dhe për këtë gjë edhe presidenti Vuçiq duhet që të jetë i vetëdijshëm”.
“Po sigurisht nëse nuk do ta thoja një trysni është edhe një bazë e mirë për të pasur dialog dhe të njëjtën kohë është në të mirën e Kosovës, pasi që krijimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare dinamizon dialogun, njëjtën kohë jep mundësi Kosovës që të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë dhe e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një periudhë shumë më afatgjate se sa që ishte deri më tani”, tha ai.