Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama ka vendosur që një biletë e rregullt e autobusit urban të kushtojë 50 centë e jo si më parë 40 sosh.
Por komuna ka lansuar një paketë ofertash për udhëtarët që përfshijnë pagesë ditore, javore dhe mujore.
Komuna e Prishtinës në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve, ka riorganizuar planin e tarifimit”, është thënë në njoftimin e Komunës së Prishtinës, më 30 janar.
Vendimin që hyri në fuqi më 31 janar po e kundërshton opozita e kryeqytetit, Lëvizja Vetëvendosje.
Rashit Gashi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës i ka thënë Gazetës Express se rritja e çmimeve për biletat e autobusit publik është e papranueshme.
Siç thotë ai, “shërbimet nuk janë përmirësuar fare”. Por kritikë ka edhe për PDK-në që është në koalicion me LDK-në duke e përbërë pushtetin lokal.
“Shërbimet me transportin publik në Prishtinë fare nuk janë përmirësuar, madje veçse janë rënduar, asnjë autobus i ri në Kryeqytet nuk ka ardhur ende, trafiku i rënduar këta muajt e fundit sigurisht që ka shkaktuar edhe vonesa në qarkullimin e autobusëve, ndërsa në anën tjetër është ironike që këta që kanë premtuar transport falas si PDK me Uran Ismajlin e që udhëheqin po ashtu me ndërmarrjen publike Trafiku Urban po mbështetin shtrenjtimin e biletave për 25%. Ky vendim në këtë kohë është i tepërt, pa përmirësuar aspak cilësinë e shërbimeve në transportin publik”, ka thënë ai.
Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express në lidhje me këto ndryshime çmimesh.
Por ajo që është evidente është se çmimet e karburanteve kanë rënë, krahasuar me periudhën gjashtë-mujore të vitit 2022.
Komuna e Prishtinës arsyetimin e këtij vendimi e ka bazuar në atë që “kanë synim përmirësimin e shërbimit të transportit publik”.
Kosova gjendet në një fazë ku çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve janë rritur.