Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha uroi Policinë e Shtetit në 112-vjetorin e themelimit të saj.
Në fjalën e tij, Hoxha tha se përvjetori i 112-të i krijimit të Policisë, përkon plotësisht me numrin unik të emergjencave 112, andaj tha që ky përvjetor duhet të shërbejë si një ogur i mbarë për të qenë në çdo moment në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve.
““Dëshmorët e Atdheut” nga radhët e Policisë, janë e do të mbeten në përjetësi, një kurorë lavdie, të cilën nuk mund të mohojë askush. Emrat e tyre, të skalitur në këtë memorial, dëshmojnë qartas tributin e rëndë në jetë njerëzore, që ka paguar Policia së Shtetit, në këto tri dekadat e fundit. Njëherësh emri, gjaku, kujtimi i tyre janë si një testament, që duhet të ruhet denjësisht e me përkushtim nga çdo punonjës policie. Sot, dhe në brezat e ardhshëm. Në këto ditë të para të vitit 2025, bashkë me urimet për një vit të ri të mbarë, për çdo punonjës policie e familjet e tyre, dëshiroj të përcjell edhe një mesazh për më shumë angazhim e përgjegjësi në përmbushjen e detyrave që ju ngarkon ligji, në shërbim të qytetarëve, rendit e sigurisë publike”, tha Hoxha.
“Është vërtet një rastësi e bukur, fakti që ky përvjetor i 112-të i krijimit të Policisë, përkon plotësisht me numrin unik të emergjencave 112. Prandaj, ky përvjetor duhet të na shërbejë si një ogur i mbarë për të qenë në çdo moment në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve. Duke e mbyllur dëshiroj të uroj çdo punonjës të Policisë së Shtetit – Gëzuar përvjetorin e 112-të të Policisë! Bashkë me urimet, dua t’ju përcjell juve dhe familjeve që ju mbështesin, falënderimet tona më të thella për çdo sakrificë të bërë në shërbim të qytetarëve, të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë. Faleminderit”.