Që nga 8 nëntori i 2022-ës, kur ishte raportuar rasti i dhunës në familje, institucionet kompetente nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’i ofruar mbrojtje viktimës Saime Domazeti, sipas obligimeve ligjore. Lidhur me rastin e vrasjes, avokati i të dyshuarës Nazire Abdyli, Besim Morina thotë se ende nuk kanë pranuar raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Prokuroria Themelore në Prizren, më 21 dhjetor 2022, kishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje ndaj Nazire Abdylit dhe Jeton Abdylit. Kjo aktakuzë nuk paraqet asnjë prej llojeve të masave mbrojtëse.
Në këtë mënyrë, viktima Saime Domazeti kishte mbetur në mëshirën e të akuzuarve për kryerje të dhunës ndaj saj, të cilët nuk kishin mbajtur “premtimin” se do të kujdeseshin për të.
Më 26 dhjetor 2022 Saime Domazeti vdiq pas lëndimeve që dyshohet t’i ketë marrë në trup dhe fytyrë me copa të ndryshme druri, të cilat i kishin shkaktuar asaj gjakderdhje në tru.
Për këtë rast, dyshohet Nazire Abdyli kunata e të ndjerës, e cila gjendet në paraburgim, teksa para gjykatës ka pranuar se e ka goditur të ndjerën.
“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdese”, ka thënë e dyshuara në gjykatë.
Avokati i të dyshuarës, Besim Morina, në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi”, thotë se ende nuk kanë pranuar raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nga çka do të vërtetohej shkaktari i vdekjes. Teksa, hedh dyshime se ajo ishte vizituar ditë më parë nga një mjek, i cili nuk kishte konstatuar se viktima ka ndonjë problem.
“Kunata dyshohet se pas disa goditjeve me një mjet të fortë, copë dru, e ka goditur të ndjerën disa herë, me çka, tani për tani thuhet se si rezultat i këtyre goditjeve e ndjera edhe ka vdekur, por, të shtojmë edhe këtë fakt se ne tani për tani, nuk kemi pranuar raportin e IML, pra të obduksionit, ku sigurt aty do të vërtetohet se si rezultat i çkafit e ndjera vdiq, pra nga goditjet me mjet, apo ndonjë komplikim tjetër shëndetësor”, ka thënë ai.
Morina ka shtuar se meqenëse viktima ishte e sëmurë, mjaft e dobët, nuk dihet nëse ka vdekur më vonë nga koha e goditjes.
“Nuk jemi të sigurt, por një ditë më vonë nëse jo gjysmë dite me vonë, edhe pse siç thuhet ishte vizituar nga një mjek i asaj ane dhe nuk kishte pasur diçka serioze, siç kemi njohuri, pra nuk ishte kërkuar ndonjë urgjencë apo marrje e medikamenteve shëruese, kjo mbetet të shifet”, ka thënë avokati Morina.