Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, të ashtuquajtur “zyre e qeverisë serbe për Kosovë”, Petar Petkoviq, ka deklaruar se mesazhet e kryeministrit, Albin Kurti, se frikësohet se do të ketë përshkallëzim të ri të situatës në veri të Kosovës, “nuk janë asgjë më tjetër veç se krijimi i alibisë për veprime të reja të njëanshme të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb”.
“Të gjithë e dinë mirë se i vetmi që shkakton tensione, konflikte dhe aksione të dhunshme në veri të Kosovës është Albin Kurti, përmes falangave të tij parapolicore dhe për këtë arsye fjalët e tij nuk mund të interpretohen ndryshe veçse si kërcënime të reja ogurzeza për serbët në veri të Kosovës”, ka pretenduar Petkoviq.
Dhe ka vazhduar me propagandën e tij me fjalët se, “Kurti do të jetë drejtpërdrejt përgjegjës për çdo veprim të mundshëm kundër komunitetit serb në veri dhe paqen në këto hapësira”, dhe se, “nuk vlen asnjë përpjekje për të kriminalizuar “popullin paqedashës” serb në veri të Kosovës, as gënjeshtrat mediatike e as ndryshim i tezave, kur dihet se kush është burimi i të gjitha problemeve në “krahinë”.
“Le të mos gënjejë dhe mashtrojë njëherë e përgjithmonë, kur e gjithë bashkësia ndërkombëtare e ka shënuar qartë Prishtinën si burim jostabiliteti dhe veprimesh të njëanshme në terren me të cilat ai po përpiqet të kryejë “pushtimin e dhunshëm të komunave serbe” në veri. Beogradi dhe serbët e Kosovës nuk kërcënojnë askënd, as nuk duan konflikte dhe konfrontime, duan vetëm të jetojnë në paqe me fqinjët shqiptarë”, ka përfunduar Petkoviq.