Sot, bëhen pesë vjet prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë ka ndërruar jetë. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e tij në Cambridge.
Anglezi ka qenë i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”.
Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi ishte diagnostikuar me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e kishte lënë atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.
Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij dhe në vitin 2005, ai kishte filluar të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.
Stephen William Hawking është lindur më 8 janar të vitit 1942 në Oxford, Britani e Madhe dhe ka qenë një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.
Ai ka qenë astrofizikan dhe që nga viti 1979, pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Cambridge-t, detyrë që ishte mbajtur dikur nga Isaac Newton.