Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka publikuar “pesë ngjarjet kryesore të javës që lamë pas”.
Të parën ai e ka radhitur fitoren e Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit.
“Edhe një fitore e Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit në rastet e padive ndaj shtetit. Falë këtyre fitoreve, në më pak se tre muaj buxhetit të vendit i janë shpëtuar rreth 100 milionë euro”.
E dyta sipas Kryeziut është pjesëmarrja për herë të parë e një delegacioni nga Kosova në Konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara.
“Një delegacion i Republikës së Kosovës, për herë të parë mori pjesë në konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara. Tash e tutje synojmë të marrim pjesë çdo vit dhe të anëtarësohemi në konventën për Ndryshime Klimatike të OKB-së”.
“Kosova u ngrit për një kategori në Indeksin e Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri. Nga Grupi C në Grupin B, tani jemi në mesin e vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale”, është ngjarja e tretë e radhitur nga zëdhënësi i Qeverisë.
Në ngjarjet e javës është përmendur edhe miratimi në parim i buxhetit për vitin 2023
Me 64 vota, u votua në parim buxheti 3.2 miliardë euro për vitin 2023. Buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë.”
Ngjarja e fundit e përmendur është hapja e thirrjes së dytë publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë përmes pajisjeve ekonomike të ngrohjes.