Duket e paimagjinueshme se dikush mund ta ngrejë këtë pyetje, por ngjarjet e fundit më lidhje me gjetjen e pasuesit të Zinedine Zidane në Real Madrid tregojnë se po del të jetë tejet e vështirë të gjendet kandidati i duhur.
Massimiliano Allegri i Juventusit është trajneri më i fundit në një varg trajnerësh të profilit të lartë që e refuzon presidentin e Los Blancos, Florentino Perez. Allegri nuk dëshiron të largohet nga Italia dhe thotë se do ta refuzojë çdo ofertë nga jashtë, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Allegri nuk është i vetmi që e ka refuzuar Real Madridin. Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loë, po ashtu i ka hedhur poshtë pohimet se ai mund të jetë zëvendësuesi i Zidane në Real, duke thënë publikisht: “Madrid? Jo, absolutisht e hedh poshtë këtë mundësi”.
E përditshmja gjermane “Bild”, ka zbuluar se Julian Nagelsmann, 30-vjeçari i cili është trajner i Hoffenheimit momentalisht, nuk e ka pranuar ofertën e Perezit për ta marrë drejtimin e Realit.
Më parë, edhe dy kandidatë tjerë kanë hequr dorë nga mundësia për të drejtuar kampionin evropian, edhe pse në këtë rast arsyet kryesore nuk dihej. Jurgen Klopp dhe Mauricio Pochettino ishin emrat e parë që dolën si kandidatë të mundshme për ta zëvendësuar francezin, por as Liverpooli e as Tottenhami nuk duken të gatshme t’i lënë ata të largohen.
Duket pothuajse e pamundur të besohet se një skuadër që e ka fituar Ligën e Kampionëve tri herë më radhë po vuan ta gjejë zëvendësuesin e Zidane.