Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së është realizuar për herë të parë në Kosovë një ndërhyrje komplekse kirurgjikale, e njohur si bypass aorto-bifemoral me graft vaskular sintetik “Dacron”.
Operacioni pesëorësh iu nënshtrua një pacienti 48-vjeçar, i cili kishte një sëmundje të rëndë aterosklerotike të aortës abdominale, të komplikuar edhe nga prania e një anomalie tejet të rrallë – vena kava inferior e dyfishtë (DIVC), që haset vetëm në rreth 0.05% të rasteve.
Kjo gjendje e rrallë e ka bërë ndërhyrjen jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të pozitës jo të zakonshme të enëve të gjakut, duke kërkuar një planifikim të detajuar dhe një qasje të kujdesshme për të arritur te aorta dhe vena kava.