Që prej vitit 2011, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar pasurinë e zyrtarëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Por këtë vit, ka vendosur të veprojë ndryshe. Ta mbajë veç për vete këtë informacion. Por, pse ndodhi kështu?
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit -APK ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë që punojnë në institucionet e Kosovës. Ndryshe prej herëve tjera, deklarimi i pasurisë nuk është bërë publike për zyrtarët e lartë të Agjencisë Kosovarë për Inteligjencë – AKI, shkruan Periskopi.
Deklarimi i pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për herë të parë ka nisur të bëhet nga viti 2010. Pasuria e ish kreut të inteligjencës së Kosovës, Bashkim Smaka dhe e zv. Drejtorit, Latif Merovci për herë të parë janë publikuar në faqen e Kunderkorrupsonit në vitin 2011. Që nga ai vit, deri në vitin 2022, zyrtarët e lartë të AKI-së çdo herë kanë bërë deklarimin dhe si i tillë edhe u është publikuar.
Vjet u është bërë publike pasuria Petrit Ajetit, Agon Bytyqit e Burim Ramadanit.
Nga ky vit, zyrtarët e agjencisë kanë vendosur që të jenë edhe më misterioz.
Pasuria e tyre drejtorit Ajeti, zëvendësit të tij Bytyqi dhe inspektorit, Kujtim Shala nuk figurojnë në deklarimin e publikimin e fundit që e ka bërë AKP.
Për këtë e ka një shpjegim, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
“Ju njoftomë se me 10 gusht 2022 është publikuar në gazetën zyrtare Ligji i ri për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave me numër 08/L-108. Zyrtarët e Agjencisë Kosovare e Inteligjencës kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë në Parandalimin e Korrupsionit brenda afatit të përcaktuar ligjorë, ndërsa sa përket publikimit të regjistrave, neni 12 Paragrafi 3 i Ligjit ka përcaktuar kufizimin në qasjen e regjistrave nga institucioni AKI-së se subjektet deklaruese nga radhët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ose të Forcave të Sigurisë ose anëtarët e familjes se tyre që mbajnë pozita konfidenciale janë të obliguar të deklarojnë pasurinë sipas këtij ligji, mirëpo deklarimi i tyre nuk është publik. Pra, udhëheqësit e AKI deklarojnë pasurinë në APK për qëllim verifikimi, por ajo nuk publikohet”, ka thënë për Periskopin, zyra për informim e APK-së
Tutje kjo zyre ka bërë të ditur se, qasja në të dhënat e zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është e përcaktuar edhe me legjislacionin që rregullon punën e AKI-së.
Sipas Ligjit Për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik nr. 03/L – 151, afati i rregullt vjetor për deklarimin e gjendjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është 31 mars.