“Çdo hap drejt vendosjes së sanksioneve do ta dëmtojë vetëm Serbinë,jo Rusinë”, deklaron Andrej Mitiq, sekretar ndërkombëtar i partisë së ekstremit të djathtë, Dveri, teksa shijon një gotë limonadë në hollin mbretëror të Hotel Moskva të Beogradit.
“Për këtë arsye ne i shohim këto politika aktuale anti-ruse si politika anti-serbe… Ne shohim rreziqe të mëdha për interesat dhe vlerat e popullit [serb]”, thotë ai.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përballet me presionin ndërkombëtar për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë mbi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, politikanët nga e djathta ekstreme e Serbisë — politikanë si Mitiq – janë ata që janë më të zëshmit duke i bërë thirrje qeverisë që t’i injorojë kërkesat e BE-së dhe ta mbështesë Rusinë.
Deri më tani, Vuçiq, i cili u betua për një mandat të dytë presidencial më 31 maj, ka ndjekur linjën dhe ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së, të cilat kanë shënjestruar sektorin energjetik dhe atë financiar të Rusisë, si dhe individë të profilit të lartë. Interesat kombëtare të Serbisë, ka argumentuar presidenti serb, varen nga ruajtja e marrëdhënieve miqësore me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, jo vetëm me Brukselin.
Brenda BE-së, Vuçiq është përballur me kritika nga politikanë dhe diplomatë. Carl Bildt, i cili shërbeu si i dërguar i Posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi në vitet 1990, tha më 28 shkurt se pozicioni i Serbisë ndaj pushtimit rus duhet ta diskualifikojë atë nga procesi i pranimit në BE.
Dhe më 21 mars, ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, bëri thirrje që vendet që bëjnë tregti me Rusinë të përballen me ndëshkime.
Edhe pse Vuçiq fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe komunale të 3 prillit, dy parti ultranacionaliste hynë në Parlamentin e Serbisë, një zhvendosje për të cilën Vuçiq fajësoi pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.
Një parti relativisht e re në skenën politike të Serbisë, Dveri, shërbeu për një mandat të vetëm parlamentar midis 2016-2020 dhe u rikthye në asamblenë kombëtare në prill, së bashku me një parti tjetër ultranacionaliste, Zavetnici (Të përbetuar), të cilët po hynin për herë të parë në Parlament.
“Dveri mbështet pozicionin aktual politik të Rusisë dhe beson se Rusia është detyruar të përgjigjet pasi u rrethua nga NATO”, thotë Mitiq, me zërin e tij të butë dhe me mirësjellje, në kundërshtim me retorikën e tij populiste dhe pikëpamjet euroskpetike.
Për Serbinë nuk është një vendim i lehtë gjeopolitik. BE-ja është bamirësi kryesor ekonomik dhe partneri tregtar për vendin, por Beogradi është plotësisht i varur nga importet e energjisë ruse dhe nga mbështetja gjeopolitike e Moskës për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Gjatë gjithë periudhës dhjetëvjeçare të Vuçiqit në qeveri, ku ai shërbeu si kryeministër dhe president i vendit, Serbia ka mbetur neutrale, duke zhvendosur në mënyrë oportuniste besnikërinë e saj gjeopolitike nga BE-ja, Rusia dhe Kina sa herë që e shihte të arsyeshme.
Mitiq shërben si baza intelektuale e Dverit dhe, sipas vetë fjalëve të tij, ka për detyrë të përkthejë teorinë politike në politika konkrete për partinë. Prejardhja e tij lidhet me filozofinë politike dhe ai thotë se u largua nga akademia për t’iu bashkuar partisë si këshilltar në vitin 2018.
Ai është gjithashtu zëdhënës i Dverit për mediat ndërkombëtare dhe sjellja e tij medituese është në kundërshtim të plotë me imazhin e brendshëm të partisë, e cila ndërlidhet së tepërmi me liderin e saj radikal dhe të zhurmshëm, Bosko Obradoviq.
I pyetur për të argumentuar mbështetjen e tij për Rusinë, Mitiq flet për varësinë e Serbisë ndaj energjisë ruse dhe mbështetjen e Moskës mbi çështjen e Kosovës, si dhe lidhjet e qëndrueshme historike dhe kulturore ndërmjet dy kombeve “vëllazërore”.
Për sa i përket një zgjidhjeje mbi çështjen e vështirë të sanksioneve, ai thotë se qëndrimi zyrtar i Dverit është se çdo vendim i tillë duhet t’i paraqitet popullit serb në referendum.
Gjurgjeviq-Stamenkovski u bë e njohur për publikun në vitin 2008 kur ajo luajti një rol kryesor në protestat e dhunshme që shpërthyen pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Që atëherë, ajo ka qenë shtylla kryesore e politikës së rrugës së krahut të djathtë në vend. Ajo gjithashtu mori pjesë në demonstratat që shprehnin mbështetjen për presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe aneksimin e Krimesë nga Putini.
Kur Radio Evropa e Lirë e pyeti Gjurgjeviq-Stamenkovskin se pse duhet të ketë një referendum për çështjen e sanksioneve kur populli serb sapo i dha një mandat të qartë Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ajo thotë se “marrëdhëniet serbo-ruse janë një konstantë shekullore, në shoqërinë serbe”.
“Çështja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse është shumë më specifike, më e dhimbshme dhe do të kishte pasoja më drastike për vendin tonë sesa për ndonjë shtet tjetër”, thotë Gjurgjeviq-Stamenkovski.
Kjo është arsyeja pse, sipas saj, çdo vendim që mund t’i rrezikojë këto lidhje, duhet të vendoset vetëm me një votim mbarëkombëtar.
Nga ana ideologjike, shumë pak i ndan partitë Dveri dhe Zavetnici. Të dyja partitë janë ultranacionaliste, e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë.
Megjithatë, pavarësisht këtyre shqetësimeve, opozita e ekstremit të djathtë të Serbisë nuk i pranon rreziqet. Udhëheqësi i Mbajtësve të Betimit, Gjurgjeviq-Stamenkovski thotë se “investitorët e huaj do të largoheshin nga Serbia shumë më shpejt nëse Serbia do të vendoste sanksione ndaj Rusisë” për shkak të “rritjes së çmimeve të energjisë që do të vinte si pasojë e drejtpërdrejtë”, ndërsa Mitiq i Dverit thotë se qytetarët serbë nuk do ndienin asnjë pasojë.
“Në lidhje me këto investime [të huaja] dhe çdo gjë tjetër, populli serb sheh shumë pak përfitime prej tyre”, thotë Mitiq. “Ka disa përfitime, por kryesisht shkojnë ose për sektorin e OJQ-ve ose për reformat e pafundme që janë një qëllim më vete… Populli serb ka marrë shumë pak përfitime gjatë 22 vjetëve të fundit”.
Tani për tani, Vuçiq duket se po i jep kohë.
Nëse i shikojmë gjërat në plan afatgjatë, është e mundur që do të ketë pasoja edhe më të rënda nëse nuk vendosim sanksione”, thotë Angjelkoviq. “Por, është e vështirë për qeverinë ta matë këtë dhe të anashkalojë problemet e saj aktuale për shkak të diçkaje që mund të ndodhë në të ardhmen”.
Pra, në cilën anë mendon ai se Vuçiq do të zgjedhë përfundimisht?
“Unë mendoj se, si një politikan pragmatik, Vuçiq do të veprojë në përputhje, si me interesat e tij partiake, ashtu dhe me interesat e tjera dhe do të vonojë [një vendim] sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund t’i blejë vetes më shumë kohë derisa të shohë se si do të shkojnë gjërat në Ukrainë”, vlerëson Angjelkoviq.
“Në muajt e ardhshëm, jam i sigurt se Serbia nuk do të vendosë sanksione, por do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më tej”.