Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka parakaluar dhe performuar nëpër sheshet e Prishtinës me rastin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Për ta përcjellë këtë performancë kanë dalë një numër i vogël i qytetarëve, për shkak të motit me shi që po mbretëron në vendin tonë, raporton KosovaPress.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë ditës kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit, Adem Demaçi, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.
24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.