Pas deklarimeve të grupeve parlamentare të opozitës se nuk do të vazhdojnë të marrin pjesë në seancë, në rast se nuk krijohet mundësia e Komisionit Hetimor Parlamentar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se duhet diskutim që të mundësohet apo jo mbajtja e seancës.
“Mazhoranca është e bllokuar në qëndrimin e vetë që patjetër duhet ta riformulojë çështjen, kurse grupet opozitare që nuk ka fare nevojë ta formulojnë çështjen në mënyrë të ndryshme.Nuk po shoh mënyrë se si të vazhdohet tutje përveç se ndoshta të thërrasim në të ardhmen shumë të afërt, një takim në mes grupeve parlamentare ku do të kërkohet njëfarë zotimi për kompromis nga cila do qoftë palë për të vazhduar tutje. Përndryshe sa i përket ditës së sotme, krejt çka mund të bëjmë është të ndërprejmë seancën e të mos merremi vesh, por kjo nuk më duket fare arsyeshme para qytetarëve të Kosovës.”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se ndoshta do të ishte mirë të vazhdohet me deklarime jashtë rendit të ditës, e më pas të kalohet së paku në pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Të vazhdojmë me deklarime jashtë rendit të ditës dhe të trajtohet edhe çështja e gjyqtarëve të Gjykatë Kushtetuese. Mendoj se është çështje shumë e rëndësishme. Kemi dështuar dy herë, me zgjedhjen e këtyre gjyqtarëve po bëhen disa muaj që ata mungojnë në gjykatë. S’mund të them se mund ti zgjedhim sepse pa pjesëmarrjen e opozitës nuk mund t’i zgjedhim, por nëse nuk mund t’i zgjedhim aty ndërprehet seanca e ndoshta aty do të ishte njëfarë lloj momentumi që palët të ulen e të mendojnë për kompromise për të zhvilluar punën në Kuvendin e Kosovës.”, tha ai.
Pastaj Konjufca propozoi se ndoshta më mirë do të ishte të mos ketë fare deklarim, por të kalohet drejt në pikën e rendit të ditës për gjyqtarët.
“Ne kërkojmë që ti jepet drejtim Komisioni Hetimor Parlamentar që ta themelojmë e pastaj të vazhdojmë me normalitet në Kuvend. Pajtohem me propozimin e z.Gashi që nëse dojm ti dërgojmë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, ajo pikë duhet të largohet sot nga rendi i ditës sepse pikërisht takimi që kemi patur brenda një periudhë shumë të shkurtër ka rezultuar i pasuksesshëm. Edhe ju edhe grupet tjera parlamentar duhet të binden në atë çfarë po kërkojmë. Në fakt s’jeni bind ju, sepse ne kemi qenë dakord me marrëveshjen. Prandaj nëse dojm t’i dërgojmë dy gjyqtarë në Kushtetuese…”, tha Abelard Tahiri, transmeton lajmi.net.
Kurse deputetja e VV-së, Mimoza Kusari Lila tha se sot vazhdohet me seancë ashtu siç është paraparë në mbledhje të kryesisë.
“Gjithë këtë debat e kemi kryer me orë të tana në seancë, po ashtu qëndrimet i keni prezantuar të gjithë, e tash prapë po insistohet që një pikë e rëndësisë tejet të lartë, ajo për gjyqtarët të bëhet peng i një procesi tjetër. E pas kësaj do të vijnë edhe të tjera. Para kësaj kemi pasur katër marrëveshje ndërkombëtare, tash edhe kjo. E tash po krijohet përshtypja se duan që me qëllim të bllokojnë institucionet. Në formatin e vetë ajo çfarë po kërkohet në përputhshmëri me ligjin, nëse nuk e kanë s’kanë pse me na e kërku neve.”, tha Kusari-Lila.
“Mesa po kuptoj unë nga sjellja verbale dhe e dhunshme e pushtetit. Keshni keshni se keshni më vonë. Ju nuk keni dëshirë as me pas Gjykatë Kushtetuese, e as Kuvend. Po e çoni Kuvendin drejt paaftësisë vendimmarrëse. Po e çoni në veprimet e juaja, drejt paaftësisë vendimmarrëse dhe po rrezikoni kushtetutshmërinë e duke shkuar edhe më tej duke paaftësuar edhe Kushtetuesen. Po e shtini Kuvendin dhe vendin në një situatë të një konflikti të brendshëm politik ,për të cilin nuk di se qysh doni me e zgjidhë. Ju si shumicë e keni për detyrë me e gjetë kompromisin, jo me e paaftësu kompromisin. Ju e keni pushtetin. Mimozë dalim të lëvdojmë veç bën punë të mirë, se po ankohesh se po të qeshim. Po e bëni të kundërtën, po e kultivoni dhunën verbale në këtë Kuvend. Çfarë logjike ka, kur iu duhen votat e opozitës. Keni gjithë mekanizmat e shtetit dhe vazhdoni me koltivu dhunën verbale ndaj opozitës. Kjo e bën të pamundshëm bashkëpunimin. Qysh me u marrë vesh me bashkëpunu kur ju nuk jeni në gjendje për një të drejtë kushtetuese të opozitës me leju, kur vetë e keni shumicën. Çfarë po doni me arrit me këtë? Thjesht mos me u hetu. E jo,kjo s’ka me u leju. ”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Duhet të gjejmë mënyrën të dy palët që të themelohet ky Komision.”, deklaroi Konjfuca.
Pas gjithë këtij debati, opozita ka filluar të bëjë zhurmë të madhe në Kuvend, që të mos vazhdojë seanca e rregullt.
Edhe pse deputeti i VV-së, Artan Abrazhi nisi deklarimin e tij, opozita vazhdimisht bënte zhurmë në shenjë kundërshtimi të kësaj seance./
/