LeBron James vazhdon të shkruajë historinë edhe te Los Angeles Lakers. 33-vjeçari i lindur në Ohio realizoi 44 pikë, dha 10 asiste dhe kontrolloi 9 topa në suksesin 126-117 të kalifornianëve në “Staples Center” ndaj Portland Trail Blazers. “Ok”, shifra të zakonshme për një të pazakonshëm, por pikërisht me këto pikë që i shtohen karrierës së tij LeBron ka parakaluar një legjendë të NBA, të madhin Wilt Chamberlain, duke arritur vendin e pestë në panteonin e më të mirëve të historisë me 31 425 pikë.
Shkëlqeu në “Staples Center” edhe Damian Lillard për Blazers, por 32 pikët e tij, 11 asistet dhe 8 topat e kontrolluar poshtë koshit nuk mund të krahasoheshin me impaktin që kishte “Mbreti” James te Lakers.
Pëson humbjen e dytë radhazi skuadra kyesuese e Konferencës së Lindjes, Toronto. Raptors u dorëzuan në fund 104-106 në “Scotiabank Arena” ndaj Detroit Pistons, falë një skeme të ndërtuar nga ish-i i Torontos, Dwane Casey (deri në fund të sezonit të kaluar trajner i Raptors) në sekondat e fundit të përballjes. Shkëlqeu Griffin me 30 pikë e 12 rebound, ndërsa në radhës e skuadrës kanadeze nuk rezultuan të mjaftueshme 22 pikët e Leonard.
Memphis Grizzlies arrijnë t’i shkaktojnë humbjen e katërt sezonale Milwaukee Bucks me rezultatin 116-113. Giannis Antetokounmpo realizoi 31 pikë, por me gjithë mbështetjen e Middleton, që shtoi 25 të tjera, nuk arriti t’i ndalte Grizzlies, të udhëhequr nga Gasol e Conley, që shënuan respektivisht 29 dhe 26 pikë.
New Orleans Pelicans dështuan përballë Minnesota Timberwolves 107-100, më vendësit të morën një rezultat shumë të mirë falë lojës së Karl Anthony-Towns, që realizoi një “double double” me 25 pikë dhe plot 16 rebound. Për Pelicans Davis u ndje i vetëm, edhe pse arriti edhe ai “double Double”, me 29 pikë dhe 11 topa poshtë koshit, ndërsa pikëshënuesi më i mirë rezoltoi Moore me 31 pikë.
Oklahoma City Thunder morën fitoren e radhës në ndeshjen e radhës pa “yllin” e skuadrës Russell Westbrook, duke asfaltuar 128-103 New York Knicks. I pandalshëm Paul George me 35 pikë në total, ndërsa Kanter (19 pikë) dhe Hardaway Jr. (20 pikë) nuk mund të bënin më shumë për Nicks.
Humbje surprizë e San Antonio Spurs ndaj Phoenix Suns 116-96, Philadelphia 76ers-Orlando Magic përfundoi 106-111, Cleveland Cavaliers-Washington Wizards 95-119, Chicago Bulls-Boston Celtics 82-111, Miami Heat-Brooklyn Nets 120-107 dhe Utah Jazz-Dallas Mavericks 68-118.