Gazmend Muhaxheri po ua bën me dije edhe njëherë të gjithë atyre se e kritikuan se nuk do të heqë dorë nga ambiciet e tij. Ai tha se do të bëhet kryeministër i Kosovës, duke u zgjedhur nga radhët partisë së tij, LDK-së.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri po thotë se shteti i Kosovës do të ketë një kryeministër të ri në zgjedhjet e ardhshme, ai thotë se do të bëhet kryeministër i Kosovës duke garuar si i pari në LDK në zgjedhjet e përgjithshme kurdo që mbahen
Muhaxheri thumboi disa nga anëtarët e partisë së tij duke thënë se të gjithë ata brenda partisë së tij që kanë ambicie për këtë pozitë do të jenë zëvendëskryeministra të tij.
“Unë kam thënë që jam ma i miri për kryeministër, të tjerët munden me qenë zëvendëskryeministra, masi është bë zakon që me pasë zëvendëskryeministra shumë”, ka thënë Muhaxheri në një intervistë për Periskopi.
Muhaxheri ka folur edhe për shprehjen e interesimit të të tjerëve brenda partisë së tij për garën e kryeministrit.
“Është me tregu që LDK-ja nuk varet vetëm prej një njeriu. Ka shumë kandidatë që munden me qenë kryeministër. LDK është partia më e madhe në vend, është e përgatitur për zgjedhje. Ka tregu përherë që pa LDK-në në Qeveri, qeverisja nuk shkon mirë”, tha ai
Ai ka thënë se ua ka hapur dyer të tjerëve për të shprehur interesimin e tyre dhe ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen ato
“Janë shfaqë edhe të tjerë që kanë ambicie për kryeministër, jo vetëm unë. Unë ia kam çelë derën të tjerëve, LDK-ja është shumë e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Nëse janë në qershor, jemi të gatshëm për ato zgjedhje, nëse shkojnë më tej atëherë do të jemi edhe më të përgatitur”, tha ai.
Gazmend Muhaxheri ka fituar për të dytën herë komunën e Pejës duke u shpalluar kështu kryetar për dy mandate rradhazi në Pejë, ai ka shfaqur haptazi dëshirën se dëshiron të bëhet kryetari i LDK-së dhe kryeministër i Kosovës.