Tashmë Ministria e Infrastrukturës ka vulosur dhënien e tenderëve për rrugën nacionale ”Prishtinë – Besi – Podujevë”, kompanive të favorizuara nga ky institucion, pronarë të të cilave janë shokët e zevendesministrit, Hysen Durmishi dhe udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, Nexhat Krasniqi.
Ani pse Periskopi disa herë ka publikuar artikuj ku janë vërtetuar shkelje të rënda të ligjit përgjatë procesit të tenderimit, kjo ministri pashmangshëm ka vazhduar lidhjen e kontratave, duke shpërfillur edhe opinionet e organeve të cilat e monitorojnë këtë proces.
Së fundmi, ministria ka shpërfillur dy opinione të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i cili është kompetent për zbatimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë.
Periskopi ka zbuluar se ky institucion i ka kërkuar ministrisë që të përmirësojë disa kritere në dosjen e tenderit. Por, ministria nuk ia ka marrë për bazë ato, derisa ka vazhduar me zellin e njejtë për lë lidhur kontrata me kompanitë favorizuese.
Redaksia ka pasur qasje edhe në opinionin tjetër të lëshuar nga KRPP-ja. Në këtë opinion është vërtetuar një shkrim i Periskopit në të cilin është faktuar se si ministria ka vendosur kritere vlerësuese për dhënie të kontratës që janë në kundërshtim Ligjin e Prokurimit Publik.
“KRPP ka monitoruar Aktivitetin e Prokurimit me Titulli: “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25. Prishtinë-Besi-Podujev, Loti 0,1,2,3 dhe struktura lot 5” me nr. prok. 205-23-21-511” me vlerë të parashikuar Totali: 38,030,326.00 euro €, publikuar me datë 06.01.2023, në platformën E–prokurimi, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Ministria e infrastrukturës dhe planifikimit”, thuhet në hyrje të opinionit në të cilin Periskopi ka pasur qasje.
Çka ka gjetur KRPP, që nuk e ka zbatuar ministria
Në këtë opinion KRPP ka konstatuar se lidhur me kërkesat administrativ, kualifikuese dhe përzgjedhëse Autoriteti Kontraktues ndër të tjera ka kërkuar si në vijim:
Pika I– Autoriteti kontraktues ka ngritur Deklaratën e Nevojave dhe Disponueshmerin e Fondeve (DNDF), mirëpo nuk e ka nënshkruar sipas kërkesave ligjore, Aprovimi nga ZKA.
Lidhur me konstatimin numër një, respektivisht kërkesat e nenit 9 të LPP-së, KRPP, ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues të veprojë në pajtim me nenin 9 të Lpp-së respektivisht nenin 8 të Rregullorës për Prokurim Publik (RrPP) ku specifikoj se; Para se të fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA i autoritetit kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet vlerësim formal i nevojave.
Nga kjo nënkuptohet se para inicimit të cilit do aktivitet prokurimi duhet përmbushur saktësisht te gjitha kërkesat e nenit 9 të LPP-ës. Mos përmbushja e te gjitha kërkesave (paragrafëve ) nga neni i cekur me lart përbën shkelje te dispozitave të LPP-së dhe legjislacionit dytësore për prokurim publik andaj rekomandohet AK të veproi ne pajtim me dispozitat e cekuar me lartë.
Siç ka parë Periskopi, kjo pikë është shkelur nga prokurimi i MMPHI-së. Kjo pasi, sa i përket deklaratës se disponueshmerise se mjeteve , në versionin pdf është Deklaratën e dt 05.01.2023 ne faqe nr. 3 e cila nuk është e nënshkruar nga personat përgjegjës. Si dhe Deklaratën e disponueshmerise se mjeteve e cila është nënshkruar nga personat përgjegjës, mirëpo në ditën e nxjerrjes se vendimit për rekomandim me kontrata pra 31.05.2023.
Pika II –Te pika 2.3, e dt, te ndarja në Lote minsitria ka specifikuar se numri maksimal i pjesëve që do të shpërblehet te një tenderues është: Një te shënimi shtesë keni specifikuar se OE mund të marr pjese në më shumë se një llot mirëpo është i obliguar për secilin lot të paraqes, kapacitetet financiare qarkullimin në tre vitet e fundit, mbështetje bankare, sigurinë e tenderit , pajisjet dhe makinerinë, stafin profesional për secilin lot qe veç e veç.
Lidhur me konstatimin numër dy, te ndarja në Lot dhe mundësia e kualifikimit dhe pjesëmarrjes, KRPP- ka rekomanduar qo ministria të verojë në pajtim me nenin 18.5 të RrPP, e cila specifikon se: Kurdo që AK përcakton kriteret minimale për gjendjen ekonomike dhe financiare apo aftësinë teknike dhe profesionale, në rastet kur kufizon numrin e Loteve që do të shpërblehen tek një OE, AK duhet të merr parasysh që përmbushja e kërkesave minimale të jetë shuma më e lartë për Lotet për të cilat konkurron OE.
Periskopi ka parë se Autoriteti kontraktues -MMPHI, sa i përket pikës 2.3 te Dosjes se tenderit, OE mund te marr pjese ne me shume se një lot duke paraqitur kapacitetet e kërkuara për Lotin me vlerën me te madhe. Pra kjo pikë është përmirësuar.
III- Lidhur me konstatimin numër tre, ku ministria ka konstatuar specifikuar se në raste te konozorciumit lideri i grupit duhet të ketë 60% të kërkesave, KRPP ka rekomanduar të veproni në pajtim me RrPP konkretisht nenin 26.10 i cili specifikon se: Kur është e nevojshme, autoritetet kontraktuese mund të përcaktojnë në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë se si grupet e Operatorëve ekonomik duhet të përmbushin kërkesat për gjendjen ekonomike dhe financiare ose aftësinë teknike dhe profesionale të referuar në nenin 68 dhe 69 të LPP-se, ku AK-se mund të përcaktojnë një përqindje minimale në drejtim të plotësimit të kërkesave nga lideri i grupit të OE.
Nga kjo kuptohet se në këtë rast autoriteti mund të kërkoj një minimum te kërkesave kualifikues për liderin por jo si në rastin tuaj ku keni specifikuar 60%. Ndërsa lidhur me kriteret e kualifikimi lidhur me 10 Vitet e fundit, KRPP ju rekomandon të veproni sipas paragrafit 6.2 të nenit 69 të LPP-së.
Bazuar në dosjen finale të tenderit, Periskopi ka parë që kjo pikë nuk është adresuar nga ministria. Është lënë ashtu siç ka qenë.
IV- Te pika 30.1 Kriteri i dhënies se kontratës përkatësisht nen kriteret, keni specifikuar se si nën kriter do të poentohen edhe stafi si në vijim, Menaxheri i projektit i vlerësuar me poena më së shumti, Menaxheri projektit i vlerësuar, Udhëheqësi i punishtës i vlerësuar me poena më së shumti, Udhëheqësi i punishtës, Ingjinier i hidroteknikës i vlerësuar me poena më së shumti, Ingjinier i hidroteknikës, Gjeodeti i vlerësuar me poena më së shumti, Gjeodeti i vlerësuar, Inxhinier i komunikacionit i vlerësuar me poena më së shumti, Inxhinier i komunikacionit, Inxhinier i elektroteknikës (drejtimi elektroenergjetikë ose energjetikës) i vlerësuar me poena
Dhe, Inxhinier i elektroteknikës (drejtimi elektroenergjetikë ose energjetikës).
Lidhur me kriterin për dhënie të Kontratës, AK ka specifikuar se kriteri për dhënie të kontratës është kriteri Tenderi i përgjegjshëm ekonomikisht më i favorshëm, mirëpo te nën kriteret e vlerësimit keni kërkuar edhe stafi i cili është edhe kërkesë kualifikues.
Mbi këtë bazë KRPP, rekomandon autoritetin kontraktues të veproni sipas nenit 27.10 të RrPP e cila specifikon se: Kriteret minimale për kualifikim (kriteret e përzgjedhjes) nuk përdorën si kritere në procesin e dhënies së kontratës. Tenderuesit do të konsiderohen të kenë përmbushur kërkesat minimale në lidhje me kapacitetin e tyre për të përformuar kontratën që do të thotë që kriteret në lidhje me përvojat paraprake dhe historikut të kompanisë nuk do të shihen si kritere në procesin e dhënies së kontratës.
Bazuar në këtë KRPP rekomandon autoritetin kontraktues që lidhur me nën kriteret të veproi sipas nenit 27.3 të RrPP i cili specifikon se: Nëse kriteri është ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’, kontrata duhet ti jepet tenderit i cili më së miri përmbushë kriteret relevante. Përveç çmimit AK mund të përfshijë kritere tjera relevante për lëndën e kontratës, siç janë:
- Karakteristikat e cilësisë
- Kostot Operative, të mirëmbajtjes dhe kosto tjera të jetë-gjatësisë
- Karakteristika funksionale, teknike, mjedisore, estetike ose të ngjashme
- Shërbimi i pas-shitjes dhe asistencës teknike.
“Bazuar në këto si me lartë, rekomandojmë Zyrën e prokurimit në autoritetin kontraktues- Ministria e Infrastrukturës të korrigjoj këto lëshime konform rekomandimeve të KRPP-së dhe në përputhje me dispozitat cekura më lartë”, thuhet në fund të rekomandimit të KRPP-së.
Kush fitoi kontratë
Totali i kontratave kapë vlerën prej 34.2 milionë euro.
Për lot 0 kontrata është nënshkruar me Grupin e Operatoreve Ekonomik: “Pro& Co Group” Shpk; “Levantia Ingenieria Y Construccion sl” në vlerë prej 6. 484, 854, 58 euro.
Për lot 1, Grupi Operatorëve Ekonomik “2 A Group” Shpk; “Vega” shpk, në vlerë prej 8, 447, 477.70 euro.
Për lot, 2 Grupi Operatorëve Ekonomik “Bujar Shabani B.I” ; “Kosova Asfalt” Shpk’; “Bageri-1” Shpk; “El-Bau” Shpk, në vlerë prej 8, 644, 259.75 euro.
Për lot 3 Grupi Operatorëve Ekonomik “Agbes Construksion” Shpk; “Arbotec”. Shpk; “Geo Construction” Shpk; “Mineral L.L. C”; “MB Group” Shpk, në vlerë prej 9, 254, 811. 42 euro.
Për lot 5 Grupi Operatorëve Ekonomik “Beni- Com” Shpk; “Saba Belca” -Dega në Kosovë; “Sherif” Shpk, në vlerë prej 1, 443, 784. 50 euro.
Periskopi ka raportuar se kontratat janë nënshkruar, ani pse ka qenë një ankesë aktive nga një operatorë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo përbën shkelje të ligjit. Kontrata janë nënshkruar nga përfaqësuesi i operatorit fitues, ndërsa nga ana e ministrisë firmën e kanë hedhur, zëvendësministri, Hysen Dumrishi, Sekretari, Izedin Bytyqi dhe udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit, Nexhat Krasniqi, i njohur në opinion si “Baba i tenderëve”/Periskopi/