Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjersa pas ceremonisë tha se niveli qendror do të jetë në mbështetje të secilit kryetar komunal në zbatim të mandatit të tyre ligjor e kushtetues.
Krasniqi në një deklaratë për media tha se është me rëndësi që qytetarët e veriut të Mitrovicës të kenë shërbime adekuate cilësore dhe të kenë kryetarin, nënkryetarin afër tyre.
“Për ne është shumë e rëndësishme kjo përbërje e kabinetit të kryetarit, qyteti shumë etnik”, tha ministri Krasniqi.
Ai më tej shtoi se secili veprim e vendim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror, ashtu si i mbështesin të gjithë kryetarët tjerë komunalë.
Ndryshe, sot Erden Atiq u betua si kryetar i komunës së veriut të Mitrovicës. Në objektin e komunës gjatë ceremonisë së betimit të kryetarit është vendosur edhe flamuri i Republikës së Kosovës.
Menjëherë pas ceremonisë së betimit, Atiq emëroi nënkryetare të komunës, Katarina Axhançiq , nga radhët e komunitetit serb.