Prokuroria e Çarkut në qytetin Celje të Sllovenisë i ka kërkuar ndihmë juridike Ministrisë Drejtësisë në Kosovë lidhur me një rast ku është i përfshire një kosovar, ndaj të cilit kanë nisur hetimet atje, por i njëjti ka ikur në Kosovë. I dyshuari është identifikuar dhe arrestuar, ndërsa tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për L.K., i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Dhunimi” dhe “Dhunë në familje”, ku viktimë është bashkëshortja e tij.
Sinjali ka mësuar se këto dy vepra, i dyshuari i ka kryer vitin e kaluar, për çka autoritetet në Slloveni kanë ngritur kallëzim penal. Por pas denoncimit të rastit, i dyshuari kishte vendosur që të ikë nga shteti slloven, me shpresën se mund të “fshihet” në Kosovë.
Në bazë të informacioneve të para, Prokuroria atje është vënë në dijeni që i dyshuari ndodhet në Kosovë, i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për ndihmë lidhur me këtë rast.
Me t’u pranuar kërkesa, Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, teksa brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera