Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të organizojë sot homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës. 22 vite më parë, ushtria dhe policia e Serbisë rrethuan këtë fshat dhe më pastaj vrarë e masakruan në mënyrë barbare 147 të rinj e burra ndërsa të tjerët i dëbuan nga Kosova. Pamjet e transmetuara nëpër mediet ndërkombëtare për vrasjen dhe masakrimin e 147 shqiptarëve dëshmuan edhe njëherë për dhunën e paparë që po bënte Serbia me ushtrinë dhe policinë e saj kundër popullit shqiptar anekënd Kosovës. Ndonëse kanë kaluar 22 vite nga kjo masakër e realizuar nga ushtria dhe policia e Serbisë, asnjë kriminel nuk ka dal para drejtësisë.