Më 27 mars të vitit 1999, në orën 8.20 minuta, dy aeroplanë bombardues të Serbisë, MIG 21 kishin hedhur tetë arka me bomba të tipit kasetë, nga dy anët e rrugës në një sipërfaqe afër treqind metra prej shtëpisë së Osman Berishës, Asllan Berishës e deri te shtëpia e Mehmet Berishës, në lagjen ku ndodhej selia e Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress. Kriminelët shtetërorë të Beogradit, Vuçiq, Sheshel dhe Ojdaniq paraprakisht ishin zotuar se do ta shkatërronin dhe do ta shuanin zërin, sikur thoshin ata, “të terroristëve” dhe në vendin ku ata kanë transmetuar, do të pinin kafe si dhe do ta ndërtonin një stadium futbolli. Po atë ditë, Radio-Televizioni i Serbisë kishte njoftuar dëgjuesit se ishte bombarduar dhe asgjësuar e ashtuquajtura, “Radio-Kosova e Lirë”. Mirëpo pas dite qysh prej 4 janarit, si zakonisht në orën 16.00 është transmetuar programi ditor i Radios me ç rast iu ka bërë me dije opinionit se bombardimi i Radios nuk na kishte gjetur në gjumë, por në detyrë dhe në istikame të luftës dhe pavarësisht të gjitha sulmeve kurrë nuk do të ngulfatet, as do të ndërpritet zëri i lirisë, jehona e krismave të legjendarit, Adem Jashari dhe të luftëtarëve të lirisë anë e kënd Kosovës.Prej 27 marsit të vitit 1999, kur nga bombardimi i avionëve serbë u martirizua, Elbasan Jakup Berisha, 16-vjeçar, vëllai i katër motrave, dhe morën plagë tetë anëtarë të tjerë të kësaj familjeje, nuk u ndërpre sulmi sistematik i forcave serbe kundër Radios, e cila identifikohej lehtë përmes antenave të saj. Disa ditë më vonë, në përpjekje të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë ku përveç Radios dhe Agjencisë ndodhej edhe Pallati i Qeverisë së Përkohshme, një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, Spitali ushtarak dhe Shtabi i Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova.Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të institucioneve informative të luftës dhe të popullatës së zhvendosur përreth vend emetimit të Radios dhe të Agjencisë prej 1 prill deri më 11 qershor të vitit 1999, kanë rënë dëshmorë:
ELBASAN JAKUP BERISHA 16-vjeçar, është vrarë nga predhat e bombave kasetë më 27 mars të vitit 1999, gjatë sulmit të dy aeroplanëve bombardues MIG 21 të armatës okupatore jugosllave, afër selisë së Radios.
XHAVIT KELMENDI nga Karaçica, ka rënë dëshmor më 1prill të vitit 1999, në luftë kundër forcave ushtarake serbe në mbrojtje të pozicioneve te UÇK-së në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
VEZIR KOLSHI, nga fshati Baicë e Kolshit, ka rënë dëshmor më 1 prill 1999, në luftë kundër forcave serbe, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së, në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
MEHDI BYTYÇI nga Arllati, komandant Toge, ka rënë dëshmor me 16 prill 1999 te Lagja e Bytyçve, në Arllat në mbrojtje të pozicioneve, me rastin e përpjekjeve të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë.
SYLEJMAN BYTYÇI nga Arllati, ka marrë plagë vdekjeprurëse nga arma armike më 16 prill 1999, te Lagja e Bytyçve. Nga plagët ka ndërruar jetë pesë ditë më vonë.
ISLAM KASTRATI, nga Kizhareka
MENTOR MORINA, nga Arllati
RAMADAN BYTYQI, nga Gjergjica
MENTOR GASHI nga Llapushniku
HALIM BAJRAKTARI, nga Çikatova, kanë rënë dëshmorë më 18 prill të vitit 1999, në betejën ballë për ballë kundër këmbësorisë serbe në pozicionet strategjike të UÇK-së te Gradina, mbi Grykë të Llapushnikut.
SHAQIR HOXHA, nga fshati Shalë ish-Sedllar, ka rënë dëshmor në hyrje të Grykës së Gashit në Nekoc, më 24 prill 1999.
Në mbrojtje të pozicioneve dhe vendit ku ka emetuar Radio-Kosova e Lirë gjatë luftës kanë qenë të angazhuar eprorët e komandës operative: Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Haxhi Shala, Refki Mazreku, Ibrahim Mazreku, Ajet Kastrati, Ajvaz Berisha, Xhavit Sadriaj, Milaim Beha, Muharrem Sylejmani, Fadil Berisha, Agim Vrellaku, Mustafë Sopi, Hilmi Sopi, Ilir Qeriqi, Faik Sopi, Daut Bajraktari, Dervish Bytyqi si dhe shumë luftëtarë të dalluar të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova dhe luftëtarë të brigadave: 113, Mujë Krasniqi dhe 114 Fehmi Lladrovci.
Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres kanë qenë bazat më të mbrojtura dhe më të fortifikuara në Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova gjatë tërë kohës së luftës.
Në periudha të ndryshme të luftës çlirimtare, në fushën e nderit, kanë rënë këta bashkëpunëtorë të Radios-Kosova e Lirë:
Xhavit Bajraktari, ka rënë më 2 maj 1999 në fshatin Shirokë të Therandës.
Hyrë Emini ka rënë Tanushë të Gostivarit, më 29 korrik të vitit 2001.
Islam Berisha ka rënë në Mitrovicë, më 2003.
Më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin e vet informativ të luftës në Malet e Berishës, duke transmetuar lajmin e largimit definitiv dhe të turpshëm të ushtrisë dhe policisë vrastare serbe nga Kosova.
Më 8 korrik 1999 Radio-Kosova e Lirë, ka rifilluar transmetimin në Prishtinë ku aktualisht edhe transmeton programin e vet.