Zëvendës kryeministri i Serbisë Rasim Lajiq, duke folur për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës ka thënë se ky është “gati misioni i pamundur” derisa Prishtina nuk i heq taksat në import të mallit serb, dhe se autoriteti i BE, si ndërmjetësues, seriozisht është vënë në pikëpyetje.
“Derisa gjendja nuk kthehet në periudhën para 6 nëntorit kur janë futur taksat e para prej 10 për qind, mendoj se plotësisht është pamundësuar çfarëdo bisede politike”, ka thënë Lajiq.
Ai ka shtuar se atmosfera është e pavolitshme për shkak të ndalimit të tregtisë në mes të “Serbisë qendrore” dhe Kosovës, dhe se “problemi është te autoriteti i BE-s”.
“Mendoj se autoriteti i BE, si ndërmjetësues, seriozisht është vënë në pikëpyetje pas gjithë atyre masave dhe pafuqisë që ta detyrojnë Kosovën t’i heqë këto masa”, ka thënë ai dhe ka shtuar se përkundër apeleve Prishtina i ka radikalizuar masat politike”.
Me rastin e paralajmërimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama se kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës do të hiqet, Lajiq ka thënë se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me lehtësime ekonomike dhe për tregti, por se është i karakterit politik.
“Ne tri herë më shumë mallra shesim në Kosovë sesa Kosova importon nga Shqipëria… Rama i dërgon porosi BE-së se “nëse nuk e shpejton rrugën e Shqipërisë kah BE ne kemi alternativë, e kjo alternativë është tubimi i gjithë shqiptarëve nën një kulm juridik dhe politik”, ka thënë Lajiq.