Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur rreth takimit të kryetarëve të komunave me kryeministrin, Albin Kurti.
Ibrahimi në një prononcim për GazetaBlic e sheh si problem qasjen e Qeverisë karshi kryetarëve të komunave, që sipas tij ende nuk kanë dhënë informacione se çfarë do të diskutohet në atë takim apo në çfarë vendi e ore do të mbahet.
“Problemi kryesor është që temat ende nuk dihen dhe nuk është serioze që kryetarët e komunave të mos informohen paraprakisht se çfarë do të diskutojnë. Nuk është e ditur as ora dhe as vendtakimi ku do të zhvillohet diskutimi me kryeministrin”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi shpreson që temat të cilat janë në interes të komunave do të diskutohen në takimin e 15 majit.
“Kryetarët kanë kërkuar nga kryeministri që të disktojnë tema për të cilat janë të interesuara, por nuk kanë kthyer përgjigje. Shpresa jonë e vetme është që temat të cilat kryetarët i kanë kërkuar për diskutim do të jenë primare në atë takim”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se, kërkesa e Kurtit për t’u takuar me kryetarët e komunave erdhi menjëherë pasi këta të fundit, dërguan kërkesë në Qeveri.
“Ne kemi bërë kërkesë në Qeveri, menjëherë pas kësaj kërkese është thirrë takim më kryetarët e komunave më 15 maj. Ata na thanë që vetëm rezervone këtë datë sepse keni takim me kryeministrin, por nuk ka dhënë detaje tjera”, shtoi tutje Ibrahimi.
I pyetur se ka apo jo kundërshtim të ndonjë kryetari për t’u takuar me kryeministrin Kurti, Ibrahimi thotë se do të mbajnë një takim gjatë të shtunës dhe të dielës për të diskutuar rreth problemeve.
Ibrahimi thotë se, nuk është qasje serioze nëse Kurti i thërret në takim për të folur rreth temave që tashmë janë marrë vendime.
“Ne e kemi një takim dy-ditorë të kryetarëve, gjatë të shtunës dhe të dielës ku do të diskutohen problemet me të cilat komunat po ballafaqohen.Në atë takim nuk ka nevojë të diskutohen tema për të cilat janë marrë vendime, por tema të cilat janë në interes të komunave”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi përmendi edhe kompensimet që Qeveria u kishte premtuar komunave të prekura nga vërshimet, por deri më tani nuk kanë marrë ndonjë hap të tillë.
Ibrahimi thotë se, kryetarët e komunave duhet të merren më seriozisht sepse sipas tij janë më të votuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Kompensimet për vërshime është një temë tjetër tejet shqetësuese që duhet folur. Nuk është serioze me i thirr kryetarët dhe mos t’ju tregohent temat, orën dhe vendin e mbajtjes së takimit. Kryetarët e komunave të mirren më seriozisht nga niveli qendror, sepse janë përfaqësues të popullit dhe kanë dhjetë herë më shumë vota sesa deputetët e Kuvendit të Kosovës. Duhet të marrin respekt dhe të trajtohen në mënyrë më të dinjitetshme”, tha Ibrahimi.