Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është shpallur si antikushtetues.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se PDK edhe njëherë ka dëshmuar se ju shërben interesave të qytetarëve duke mbrojtur rendin kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti.
“Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë dëshmoi se ju shërben interesave të qytetarëve e të shtetit tonë, duke mbrojtur rendin kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti për ta shkelur atë. Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cënuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.” – ka shkruar Krasniqi.
Ai tutje ka thënë se nuk do të lejojnë kurrë që Kushtetuta të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit.
“Kushtetuta, si bazament i parimeve të drejtësisë, nuk mund dhe nuk do të lejojmë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit. Ngjashëm si në këtë rast, do ta kundërshtojmë secilën nismë qeveritare që synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti.” – ka përfunduar Krasniqi.