Gjenerimi i energjisë elektrike në Kosovë nga thëngjilli është problematik për qeverinë federale në Gjermani. Këtë publikisht ia thanë kryeministrit Kurti në Prishtinë e Berlin shkruan Gazeta Express.
Kryediplomatja evropiane Annalena Baerbock në vizitën që pati në muajin Mars tha se Kosova është e varur nga thëngjilli dhe në plan afatgjatë duhet të zëvendësojë burimet e energjisë.
Në Kosovë kemi një varësi nga thëngjilli sa i përket prodhimit të energjisë prandaj duhet të flasim rreth kësaj. Edhe këtu në Kosovë ne do të përurojmë parkun e energjisë me erë që në një kohë afatgjate të mos jemi të varur nga energjia me thëngjill”, kishte thënë Baerbock në konferencën me kryeministrin Kurti në mars të këtij viti.
Pas ministres Baerbock, kryeministri Kurti tha se thëngjilli është megjithatë i Kosovës për dallim nga Evropa që varet nga gazi i Rusisë por që si qeveri s’mund ta heqin menjëherë thëngjillin por që do ta bëjnë.
“Unë jam i vetëdijshëm që BE shumë shtete aty në masë të madhe kanë varësi nga gazi dhe ai gaz shumë shpesh është rus, ne në Kosovë kemi varësi shumë të madhe nga thëngjilli po ai është thëngjill i yni, është thëngjill i Kosovës. Dëshirojmë që sa më shpejt të investojmë në burime të ripërtritshme të erës dhe të diellit në mënyrë që ta zvogëlojmë pjesëmarrjen e qymyrit në gjenerimin e energjisë elektrike mirëpo këtë nuk mund ta bëjmë menjëherë veçse jemi të vendosur që ta bëjmë dhe na nevojitet ndihma e Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.
Energjinë e ripërtrishme dhe nevojën për përmirësim të cilësisë së ajrit Kurtit ia përmendi edhe kancelari Scholz dje në Berlin.
Ai tha se Kosova ka shumë punë për zhvillimin e energjive të ripërtrishme por që dy qeveritë janë të angazhuara që të punojnë bashkë në këtë fushë.
“Për zhvillimin e energjive të ripërtrishme Kosova ka ende shumë punë para vetes, prandaj jam veçanërisht i gëzuar për angazhimin e përbashkët të qeverive tona në këtë fushë gjë që do ta forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit atje”, tha dje kancelari Scholz.