Një konkurs për punësim në KEK ka shpërthyer nepotizmi. Anëtarët e komisionit vlerësues raportohet se pranuan në punë djem dhe vëllëzër të tyre. Shumë prej të pranuarve u është gjetur lidhje familjare në korporatë dhe në partinë në pushtet. Ky konkurs tashmë është pagëzuar si “Prontoja” e LVV-së. LDK-ja i ka kërkuar Prokurorisë të nis hetime. Konkursi është bërë viral në internet dhe bashkë me nepotizmin kanë shpërthyer edhe “memes” për të.
Mbi 4 mijë e 600 kandidatë aplikuan për plotësimin e 128 pozitave të lira në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në mesin e të pranuarve në ndërmarrjen publike, u panë emra të familjarëve të zyrtarëve të VV-së e të zyrtarëve të KEK-ut.
Vetëm pas raportimit të mediave, KEK ka dalë me një reagim, ku thuhet se procesi i rekrutimit do të rishikohet dhe ankesat publike do të shqyrtohen me kujdes.
Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”, thuhej në njoftimin e KEK-ut, që erdhi pas raportimeve e reagimeve për nepotizëm.
“Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”.
Punësimet e reja në ndërmarrje publike historikisht janë komentuar për lidhjet e mundshme me pushtetarët.
Çdo gjë nisi me kreun e listës së të punësuarve, Valon Gashi, i cili u raportua se është i afërm i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.
Deputeti e mohoi atë, duke thënë se s’ka asnjë lidhje me të, por ekzistojnë më shumë se një fotogradi të Gashit krah deputetit Thaçi.
“Jo nuk e kam asgjë Valon Gashin. Motra ime është nga Hajvalia dhe nuk ka djalë me emër Valon”, i tha ai Gazetës Express.
Fotografi e publikuar nga Gashi gjatë zgjedhjeve lokale
I njëjti deputet raportohet se të afërm të tjerë të deputetit Thaçi janë gjetur në listën e të punësuarve nga ky konkurs.
Punësimet familjare e partiake në KEK, sipas Paparacit
Të hënën, portali “Paparaci” ka raportuar se nga ky konkurs janë punësuar shumë militantë, njerëz të afërt me partinë në pushtet dhe familjarë të zyrtarëve të lartë të KEK-ut.
Në mesin e të punësuarve ishte edhe Leotrim Shala, vëllai i inxhinierit të Termocentralit Kosova B, Yll Shala, i cili njëherësh ka qenë edhe kryetar i komisionit intervistues të punësimit. E Yll Shala të hënën e ka mohuar të ketë pasur ndikim në procesin e intervistimit dhe punësimit të familjarit të tij në KEK.
Yll Shala, sipas aktivitetit të tij në rrjetin social Facebook, është mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Në disa fotografi që ka publikuar në Facebook, ai dëshmohet të ketë marrë pjesë në tubime elektorale të LVV-së.
Sot, i njëjti medium ka publikuar fotografi të babait të Yll dhe Leotrim Shalës, i cili shihet i shoqëruar me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Fotografi e publikuar nga Paparaci, sipas së cilit babai i t¥ punësuarit në KEK dhe inxhinierit të KEK-ut shihet i ulur afër Konjufcës.
Në një deklarim të martën, Yll Shala, ka mohuar të ketë pasur ndikim në procesin e intervistimit dhe punësimit të vëllait të tij në KEK.
“Po, jo more çfarë. S’o e vërtetë kjo hiç”, ka thënë Shala, citon Paparaci.
“Lidhjet e dyshuara të njerëzve të përfshirë në konkursin e dyshimtë për nepotizëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), çojnë deri tek Glauk Konjufca, njeriu i dytë i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Konjufca është shfaqur në shoqërinë e Musli Shalës, një ish-zyrtari të Komunës së Obiliqit, dy djemtë e së cilit dyshohen për nepotizëm në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK. Ai është babai i Yll Shalës, kryetarit të Komisionit Intervistues të Punësimit në KEK. Edhe ky sikurse djali i tij është mbështetës i VV-së”, ka shkruar në serinë e radhës Paparaci.
Në mesin e të punësuarve në këtë konkurs, sipas mediumit, është edhe Naim Ahmeti, vëllai i Sami Ahmetit, shefit të Grupit të Asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit. Ai u rendit i 31-i në listën e të punësuarve në pozitën manipulues i shiritave transportues në KEK.
Vend pune në KEK ka siguruar edhe Egzon Zhegrova, mbështetës i deputetit Halil Thaçit. Raportohet se përveç nipit dhe mbështetësit, Thaçi në KEK e ka punësuar edhe shokun e fëmijërisë Florent Berishën, e militantin e VV-së, Florim Tërhollin.
Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pranuar në punë djem dhe vëllezër të tyre. Rasti më i rëndë është ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit, Ismet Vrapçani, shkruan Paparaci.
LDK-ja e quan këtë konkus super aferë “pronto” të VV-së, kërkon hetime
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për emërim të militantëve në borde të ndërmarrjeve publike, shkruan Gazeta Express.
Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi tha se këso punësime VV-ja ka bërë në veçanti në KEK, PTK dhe ujësjellës.
“LVV-ja i emëroi militantët e vet partiakë, pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend, me theks të veçantë ato në KEK, PTK, ujësjellës. Një pjesë e këtyre emërimeve janë anëtarë të familjeve të ngushta, zyrtarë të pushtetit e militant partiak”, deklaroi Halimi.
Lidhur me raportimet se në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës u pranuan militantë të VV-së, Halimi tha se kjo është një aferë super “pronto” e kësaj partie.
“Rasti i fundit më eklatant është konkursi i KEK-ut ku aplikuan 4.668 persona, ndërsa u pranuan 128, prej tyre të gjithë familjarë e zyrtarë të KEK-ut dhe militantë të partisë së VV-së. Kjo është afera super ‘pronto’ e VV-së. Pra bëhet fjalë për 4.500 persona që iu mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar që trendi i punësimeve familjare dhe partiake të ndalet.
“Duke e parë një gjendje të tillë të krijuar, kërkojmë që një trend i tillë të ndërpritet në mënyrë urgjente. Këto praktike janë goditje dërmuese për shpresën dhe synimin e qytetarëve për një shtet të drejtë dhe mundësi të barabarta. Përmbajnë shkelje flagrante të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Më tutje, Halimi tha se LDK -ja kërkon që ky konkurs të anulohet, teksa ka ftuar prokurorinë që të fillojë hetimet.
“LDK-ja kërkon që konkurs të anulohet menjëherë dhe të vendoset drejtësi për 4.668, shkarkim dhe suspendim të gjithë zyrtarëve në KEK përfshirë edhe komisionin vlerësues që janë përfshirë në mënyrë direkte të këtyre shkeljeve dhe ftojmë prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të gjithë procesit dhe të marr masa ndaj keqpërdoruesve”, deklaroi zëdhënësja e LDK-së në një konferencë për media.
Ndërmarrjet publike, viktimat e para të pushteteve
KEK-u, bashkë me ndërmarrjet e tjera publike, shiheshin si viktimat e para të pushteteve politike në vend. Me dekada është raportuar për nepotizmin dhe punësimet e shfrenuara në to.
Qeveria e VV-së me të ardhur në pushtet, ka nisur lëvizjet në këtë ndërmarrje. Ka hequr ata që ka kosnideruar se janë njerëz të pushteeve të mëhershme, e ka vendosur ata që shiheshin si njerëz të saj.
Gjatë kësaj qeverie, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, erdhi në këtë pozitë, pasi më parë ushtroi detyrën e drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.
Krasniqi, i cili e mori pozitën e drejtuesit të KEK-ut në tetor të vitit të kaluar, u akuzua se u vendos në këtë pozitë nga bordi i përkohshëm që asokohe ishte emëruar nga Qeveria Kurti.