Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19, ka kërkuar sot mirëmbajtjen e masave në fuqi kundër COVID-19 dhe respektimin e tyre të plotë.
Në takimin e këtij Komiteti të drejtuar nga Ministri në detyrë i Shëndetësisë, u kërkua nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse që ta rrisin angazhimin për respektimin rigoroz të masave në fuqi, përballë një rritjeje të numrit të infektuarve gjatë kësaj jave., përderisa ditën e premte, do të bëhet kategorizimi i ri i komunave sipas zonave ( e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër), bazuar në numrin e rasteve të COVID-19 brenda intervalit kohor prej një jave.
Ministri Zemaj tha se situata me COVID-19 në Kosovë tregon për një rritje të rasteve javën e fundit për 26.8% me trend të rritjes prej 343 në periudhën 17 shkurt 2021 deri 23 shkurt 2021, deri 469 në mesatare javore (24.2 deri 3.3.2021). “Sipas projeksionit, kemi rritje nga 431 raste në 512 raste me mesatare 435”, tha ai.
Para çfarë do ashpërsimi të masave, “apeloj sot tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19”, kërkoi ai.
Në situatën në të cilën ndodhemi, theksoi Ministri, është e domosdoshme që në mënyrë strikte të respektohen nga të gjitha masat: distanca fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
“Dua të falënderoj personelin shëndetësor, ekspertët tanë, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, tërë pjesëmarrësit në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës, shtetet mike, organizatat globale shëndetësore dhe rajonale, donatorët vendorë e ndërkombëtarë, ambasadat dhe tërë personelin e angazhuar në zbatim të ligjit brenda dhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Ai tha se e vetmja rrugë kundër virusit aktualisht është parandalimi. “Parandalimi deri më tani pati sukses. Duhet ta vazhdojmë disiplinën. Ka vonesa për furnizim me vaksina, si pasojë e kërkesave të mëdha në tregun ndërkombëtar dhe si pasojë edhe e mos realizimit të zotimeve edhe nga mekanizma ndërkombëtar apo shtyrje të përmbushjes së zotimeve”, tha ai.
Ministri tha se një nga rrugët e sigurimit të këtyre vaksinave është edhe ajo nëpërmjet të mekanizimit COVAX, e cila në fillim të shkurtit kishte publikuar intinerarin e shpërndarjes së vaksinave për shtetet përfituese ku ishte edhe Kosova, duke vendosur shkurtin si afat të fillimit të alokimit, por që u shty.
“Së fundi, ky mekanizëm ka publikuar orarin e të alokimeve dhe listën e shteteve përfituese për periudhën shkurt –maj 2021 dhe Kosova është listuar në mesin e atyre vendeve që gjatë kësaj periudhe do të përfitojë 100.800 dozat e para.
Kjo nuk nënkupton se kemi hequr dorë edhe prej iniciativave dhe marrëveshjeve apo pajtimeve që vaksinën ta sigurojmë edhe në rrugë të tjera, por vonesat kanë ndodhur përtej parashikimeve për shumë arsye”.
Më tej, Ministri Zemaj theksoi se jemi të vetëdijshëm gjithashtu edhe për presionin që qytetarëve të vendit tonë u behët për vaksinim në shtete tjera, sidomos qytetarëve serbë, por ne e kemi bërë të qartë, që nuk do të marrim vaksina nga shteti i Serbisë e as nga Rusia.
“Kosova do të marr vetëm vaksina të miratuara për përdorim nga EMA, FDA dhe OBSh.Si MSH dhe si Qeveria e Republikës së Kosovës kemi përmbushur çdo kriter të mundshëm dhe të kërkuar nga secili mekanizëm apo partner dhe kjo u konfirmua edhe nga COVAX, ndërsa plani i detajuar i vaksinimit në detaje është pra miratuar e pranuar dhe është publik”, tha Ministri Zemaj.
Lidhur me situatën epidemiologjike ka raportuar drejtori i IKSHPK-së dr. Naser Ramadani, ndërkohë që për ngarkesën aktuale spitalore të SHSKUK-së ka folur drejtori i këtij shërbimi Dr. Valbon Krasniqi i cili tha se aktualisht në SHSKUK dhe njësitë e saj janë në trajtim 573 pacientë, prej të cilave 405 me COVID-19.
Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tha se është kërkesë e kryetarëve të komunave që të vazhdohet me masat në fuqi dhe se, sipas tyre, kategorizimi ka pasur sukses, derisa AUVK dhe Policia e Kosovës raportuan për numrin e inspektimeve dhe procesin e monitorimit të zbatimit të masave.
Nga këto institucione u kërkua që qytetarët të mos i shohin ato si institucione ndëshkuese, por si institucione që punojnë bashkë me të tjerat në preventivë kundër COVID-19.
Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë që inspektoratet të mbështeten më tej nga pakoja emergjente, derisa u theksua se nëse gjatë ditëve në vijim, masat nuk respektohen dhe ka rritje të ndjeshme të numrit të infektimeve, masat mund të ashpërsohen dhe të kthehen disa kufizime.