Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shprehur bindjen se vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme ku mes tjerash, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit (largimit të ujërave të zeza), kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemi i përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm.
Kur kësaj situate i shtohen edhe vërshimet nga përrenjtë dhe lumenjtë ku shtretërit e tyre janë deformuar, pas reshjeve ato fryhen dhe depërtojnë në mjediset e banuara. Në vendbanime rrjetet e kanalizimeve janë të ngulfatura me mbeturina dhe qesin në sipërfaqe materie fekale.
“Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije të dhënat laboratorike për parametrat bakteriologjikë dhe kimikë rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, UA 16/2012”.
Për shkak të reshjeve atmosferike dhe shkrirjes së borës, disa rajone të Kosovës dhe rajoni i Prishtinës janë përfshirë me vërshime, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike jep këto rekomandime:
1. Sigurimi i ujit higjienik për pije të ofrohet nga cisternat e kompanive ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e vërshuara.
2. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgatitje të ushqimit.
3. Uji i puseve në vendbanimet vërshuara është ndotur nga plehrat dhe materiet fekale andaj nuk mund te përdoret si i tillë për pije dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit ne 100 grade Celsius se paku 10 min.
4. Kompanitë ujore publike/ujësjellësit/ të përforcojnë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojnë ujin.
5. Ujësjellësit të furnizojnë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe parandalimin e epidemive hidrike.
6. Ekipet e ujësjellësve rajonalë të debllokojnë nyjet e kanalizimeve për të mos kontaminuar lagjet e vërshuara me materie fekale në të gjitha vendbanimet e vërshuara. Situata epidemiologjike është në kontroll të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja.