Takimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homolgun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris, ngjalli reagime në sferën publike.
Thaçi ka deklaruar se gjatë këtij takimi është biseduar për Dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mundësisë së arritjes të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjore dhe obliguese.
Bekim Çollaku, Këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në rtv21 ka treguar se çka e pyeti direkt Thaçi, Putinin.
“Presidenti ka shfrytëzuar këtë mundësi të jashtëzakonshme që në mënyrë direkte, drejtpërdrejt t’i bëjë atë pyetjen e vetme e cila na intereson neve si shtet dhe si qytetarë se në qoftë se ne arrijmë marrëveshje me Serbinë a do të jetë Rusia pengesë edhe më tutje apo jo për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Çollaku.
Sipas tij, në kuadër të shënimit të këtij përvjetori të Luftës së Parë Botërore Kosova ka arritur maksimumin në kuadër të diplomacisë.