Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka akuzuar partinë në pushtet se po shkon në drejtim të kapjes se pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore.
Ai ka thënë se hap pas hapi po shkohet në këtë drejtim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur veprime që i ka ndërmarr partia në pushtet për të kapur këtë pozitë të rëndësishme.
“1. Zgjedhja e Zëvendësguvernatorit u bojkotua gjatë tërë vitit 2022. Si rezultat, BQK mbeti pa Zëvendësguvernator, i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit. 2. Procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim. 3. Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit. Urime!”, ka shkruar Hoti.