Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë, transmeton Gazeta Metro.
Haradinaj ka uruar Kosovën për ditën e çlirimit.
“Të përulur përjetësisht, kujtojmë e nderojmë rrugën e gjatë dhe përpjekjet e mundimshme të shqiptarëve në të gjitha periudhat historike që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.
“Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore. Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht, një vend për të cilin ka njohuri e gjithë bota”, ka shtuar Haradinaj.
“Duke kujtuar betejat e burrave e grave të UÇK-së anekënd vendit, jemi falënderues për aleatët tanë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë
Ta gëzojmë këtë liri, ta njohim vlerën e saj dhe të vazhdojmë në ndërtimin e të ardhmes sa më të mirë!”, ka përfunduar Haradinaj