Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se deklarata e e zëdhënëses e BE-së Maja Kocijancic për mediat serbe se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, cenon sovranitetin e Kosovës.
Madje Haradinaj në Facebook shkruan se ‘BE-së i ka humbur rruga në oborr’.
“Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.