Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, për mosinformim rreth letrës që ministrja Gërvalla e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, duke e arsyetuar se Osmani ka qenë në vizitë jashtë vendit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar në mbrojtje të presedentes, deputeti i listës “GUXO” Burim Meta, i cili tha se Osmani ato ditë ka qenë në Kosovë dhe nuk qëndron fakti se ajo ishte në udhëtim.
Megjithatë, deputeti Meta nuk e sheh si përplasje raportin Osmani-Konufca, sepse sipas tij, ata kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm por presidentja ka kërkuar të respektohet kushtetuta.
“Këtë fare nuk e shoh si përplasje me kryetarin Konjufca sepse Presidentja dje e potencoi se me të ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Tema është për një çeshtje të rëndësisë historike- pra anëtarësimi i Kosovës në KiE. Thjeshtë ka kërkuar të respektohet Kushtetuta. Sa herë që kjo ndodhë dhe ka koordinim institucional, mbrohet interesi shtetëror”, tha tutje ai.
Meta thotë se nuk mund të anashkalohet presidentja, dhe se atë që e vlerësonin Osmanin gjoja se vlera e saj elektorale është zero dihet ku kanë përfunduar.
“Institucioni i kreut të shtetit nuk mund të anashkalohet edhe per faktin se Presidentja përfaqëson legjitimitetin më të lartë qytetar në historinë e zgjedhjeve. E dijmë se ku kanë përfunduar të gjithë ata që thonin se vlera e saj elektorale është zero. Poashtu presidentja ka për detyrë të kujdeset edhe për funksionimin kushtetues të të gjitha institucioneve të tjera”, tha ai.
Në fund, Meta tha se Asociacioni s’duhet të nxirret nga pakoja e marrëveshjes, pa pasur zbatim edhe nga ana e Serbisë.
“Dallimi, përtej asaj që po tentohet të shfaqet si kinse hatërmbetje, ka te bëjë me substancën. Pra siç e shpjegoi Presidentja dje, ajo insiston në konsistencë në qëndrime. Nëse qëndrimi i arritur së bashku dhe i bërë publik është që asociacioni s’duhet të nxirret nga pakoja e marrëveshjes, pa pasur zbatim edhe nga ana e Serbisë, ateherë një qendrim i tillë s’mund të ndryshohet pa koordinim paraprak, sepse kështu dëmtohet interesi shteteror”, tha deputeti Meta.