Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat e gratë të cilat kërkojnë ndihmën e Policisë pasi jo rrallëherë ballafaqohen me ngjarje të tilla edhe në mjetet e transportit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe mëngjesin e sotëm në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, ku një 26-vjeçar dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një vajzë të moshës 19-vjeçare.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë rasti ka ndodhur brenda veturës me të cilën i dyshuari kryen shërbimet për taksi, ndërsa viktima ishte kliente që po udhëtonte.
Rasti është denoncuar nga viktima 19-vjeçare, e cila ka rrëfyer në Polici gjithë tmerrin që përjetoi nga shoferi, sot rreth orës 09:00 të mëngjesit. Sipas informacioneve të para, i dyshuari fillimisht nuk ia kishte ndalur veturën në vendin ku ka pasur të shkojë vajza dhe më pas është ulur mbrapa afër saj, me ç’rast e ka sulmuar seksualisht.
Përballë kësaj situate, vajza ka arritur të largohet nga vetura dhe e ka denoncuar menjëherë rastin në Polici. Si rezultat i raportimit, Policia ka ndërmarr veprimet hetimore, me ç’rast kanë identifikuar personin e dyshuar dhe veturën me të cilën ai vepron.
I dyshuari 26-vjeçari është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulmi seksual’.