(Rreth romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2020)
Shkruan: Agnesë Shkodra
Siç është e ditur tashmë, Ag Apolloni përveç se profesor universitar dhe studiues i letërsisë, është edhe një ndër shkrimtarët më aktiv të letërsisë shqipe. I njohur edhe si autor që ka trajtuar fenomene të reja dhe ka pasuruar letërsinë shqipe me ligjërim e stil të veçantë, ai, së fundmi, i sjell kësaj letërsie edhe zhanrin e ri, dokuromanin. Romani dokumentar apo dokuromani është një nga zhanret më të pranishme në letërsinë amerikane. Në këto lloj romanesh, zakonisht, trajtohen tema të mëdha historike, siç janë luftërat. Apolloni shfrytëzon luftën e fundit në Kosovë, për të dokumentuar vuajtjet dhe traumën që pushtuesi serb sjellë në jetën e dy nënave shqiptare. Narrativa e librit krijohet edhe nga një linjë e dytë, e cila zhvillohet me rrëfimet e tre shokëve, rrëfime këto që shpalosin histori të vrasjeve, dëbimit, shpërnguljes dhe dhunës.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një udhëpërshkrim i vetës së parë, i cili mbaron pikërisht aty ku nis. Autori vendoset në dy funksione, në atë të narratorit dhe të personazhit. Si personazh, autori, së bashku me dy shokë, viziton nënën Ferdonije, ndërsa si narrator na rrëfen tmerret që ka përjetuar ajo dhe nëna Pashkë. Me figurën e nënës në qendër, përpara na shfaqë një tablo të historisë së luftës së fundit në Kosovë, një tablo të krijuar me masakra, me trembëdhjetë mijë të vrarë, njëzet mijë të përdhunuar, me refugjatë e të pagjetur.
Titulli i romanit është titull simbolik. Pjesa e parë e titullit na asocion me një fije ku nënë Ferdonija kapet për të vazhduar jetën. Kjo shpresë lidhet me misionin që historia e saj tragjike të bëjë jehonë deri në skajin e fundit të botës. Ajo gërmon në të kaluarën për të kujtuar djemtë dhe burrin e saj sepse njeriu jeton aq sa e kujtojnë. Ndërsa, në anën tjetër, Nënë Pashka, simbolizohet me shkrepësen. Misioni dhe dhimbja e saj për dy djemtë e masakruar nga forcat kriminale serbe, bëhen bashkë dhe shprehen si flijim, përmes vetëdjegies. Në këtë mënyrë, ajo i shpëton ata nga harrimi. Siç citon autori “çka na kujtohen janë çastet, jo ditët, kishte thënë para gjysmë shekulli një poet, i cili kishte vrarë veten po atë ditë që i ishte vrarë shpresa.” Prandaj, edhe për Pashkën, kur digjet shpresa, s’ka rëndësi ku hidhet hini.
Apolloni, përmes figurës së Elie Wizel-it, udhëton nëpër kohë, prej Luftës së Dytë Botërore deri te lufta e Kosovës; prej kampit të shfarosjes drejt kampeve të shpërnguljes. E veçantë e romanit është edhe lidhja e tragjizmit shqiptar me tragjedinë e Eskilit. Tragjedia e dy nënave, ndërlidhet me tragjedinë e Niobës së Eskilit, të cilën e krijoi bazuar në një mit transformimi. Sipas mitit, Nioba, duke u ndjerë më superiore se Leto, mburret që ka katërmbëdhjetë fëmijë dhe jo vetem dy. Në formë hakmarrjeje, fëmijët e Letos vrasin të katërmbëdhjetë fëmijët e Niobës. Apollo, perëndia e dritës dhe muzikës ia vrau të shtatë djemtë, ndërsa Artemisa, perëndesha e natyrës ia vrau të shtatë vajzat. I shkatërruar nga ajo çfarë përjetuan fëmijët e tij, Amfioni kryen vetëvrasje, Ndërsa Nioba i lutet perëndive t’i japin fund dhimbjeve të saj. Prandaj Zeusi e shndërron atë në një gur. E me këtë figurë personifikohet nënë Ferdonija, të cilën, autori e quan gruaja prej guri. Me Niobën personifikohet edhe nëna Pashkë, e cila, njëjtë si ajo ulur mbi varret e tyre, i vajtoi fëmijët e saj të vdekur.
/Gazeta Express