Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj në një konferencë për media sot, ka njoftuar se kërkesa e tij për dorëheqje nga kjo pozitë ka ardhur si shkak i presioneve.
Për këtë Hakaj ka fajësuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për presione ndaj tij, transmeton Gazeta Papirus.
“Kërkesa ime zyrtare për largim nga pozita e drejtorit të inspektoratit ka qenë si shkak i presionit dhe tejkalimit të kompetencës së kryetarit të komunës Përparim Rama, drejtorëve kompetent ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore. Me ligjin për inspektime, drejtori i inspektoratit është përgjegjës për çdo tejkalim, shkelje të ligjit”, ka thënë Hakakj.
Tutje ai tha se asnjë prej tyre nuk ka bartur dhe nuk bartë mesazhe politike, por vetëm mesazhe ligjore.
Ndryshe kërkesa e tij për dorëheqje ka ardhur pasi Komuna e Prishtinës ka bërë kallëzim penal ndaj tij në lidhje me bllokimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.